170 viktima dhe mbi 8 mijë të prekur në 20 shtete. OBSH shpall emergjencën botërore për coronavirusin

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencën ndërkombëtare për përballimin e situatës së coronavirusit.

Vendimi është marrë sot drejtuesit e organizatës ndërkombëtare. Shkak është bërë përhapja thuajse në të gjithë botën e virusit që e pati gjenezën në Kinë. Deri tani numërohen mbi 170 të vdekur dhe mbi 8 mijë të prekur nga virusi në Kinë. Ndërkohë në më shumë se 20 shtete ka raste të njerëzve të prekur nga ky virus.

Arsyeja kryesore nuk është ajo që po ndodh në Kinë, por çfarë po ndodh në vendet e tjera”,- tha shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke bërë lajmërimin në një konferencë për shtyp.

Frika sipas tij është përhapja e virusit në vende me sistem të dobët shëndetësor. “Deri tani ka 98 raste me virus në 20 shtete të tjera jashtë Kinës. Në 8 raste është vënë re transmetimi i virusit nga njeriu te njeriu; në Gjermani, Japoni, Vietnam, SHBA. Nuk e dimë se çfarë dëmesh mund të sjellë ky virus në shtete që kanë sistem sanitar të dobët sesa ai i Kinës”,- tha drejtori i Përgjithshëm i OBSH.

Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh se mënyra më e mirë për përballimin e situatës është bashkëpunimi mes shumë shteteve. “Duhet të veprojmë tani për të ndihmuar vendet e tjera. Të bashkëpunojmë për të dhënat, të japim informacion dhe eksperiencë. E vetmja mënyrë për të mundur ketë epidemi është që gjithë shtetet të bashkëpunojnë në frymën e solidaritetit”,- tha drejtuesi i OBSH.

Në Kinë janë më shumë se 60 milionë qytetarë që janë futur në karantinë. Ndërkohë që vendet e tjera të botës kanë marrë masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e virusit.

Në Itali, një anije me 6 mijë pasagjerë është vendosur në karantinë, pasi në bordin e saj dyshohet se ishin tre persona të infektuar.

SHKARKO APP