1800 vetëdeklarime për dekriminalizimin, kush s’e bën shkarkohet

Ka shkuar në 1800 numri i punonjësve të Administratës Publike që kanë dorëzuar formularin e vetdeklarimit në kuadër të procesit të dekriminalizimit. Procesi i vedeklarimit zgjat deri në 5 maj të këtij vitit dhe të gjithë nëpunësit që nuk do të përmbushin këtë detyrim ligjor brenda afatit do të humbasin automatikisht vendin e punës.

Burime nga kabineti i Ministres për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito thanë për “Javanews” se Departamenti i Administratës Publike ka nisur që në muajin mars procedurat për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

DAP ka kërkuar nga institucionet listat e plota të punonjësve që preken nga ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” si dhe I ka informuar ata për afatin përfundimtar se kur përfundon ky proces. Në të njëjtën kohë DAP ka publikuar në faqen e tij në internet formularin e vetdeklarimit, që duhet të plotësojnë të gjithë nëpunësit civilë.

Ligji ka ngarkuar DAP që të mbledhë dokumentacionin për të gjithë nëpunësit e administratës që janë pjesë e Shërbimit Civil si dhe për të gjithë drejtuesit, e të gjitha niveleve të institucioneve të tjera të administratës që funksionojnë sipas parashikimeve të Kodit të Punës.

SHKARKO APP