2.5 milionë euro riparimi i një godine të goditur nga tërmeti! SPAK-u fillon hetimet. “Lis konstruksion” (Ish EURO-ALB) akuzohet…

Më 12 prill 2021, Bashkia Durrës shpalli tenderin për “Riforcim godine banimi 12-13 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, rruga “Jahja Ballhysa” nr.6, kod GIS 3092 me fond limit 247 milionë lekë ose rreth 2.5 milionë euro me procedurë të kufizuar. E shpjeguar më qartë, ky fond ishte akorduar për riforcimin e njësive të banimit në ndërtesat (pallat), që ishin klasifikuar si godina të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë që nuk duhej të rindërtoheshin nga e para, por kishin nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime në lote.

Mbas 10 ditësh, Bashkia e Durrësit do të mbyllte garën duke klasifikuar 3 kompani në fazën e parë, “Ante-Group”, konsorciumin “BE – IS” shpk & ERGI & 2T”, konsorciumin “ Ish EURO-ALB (Lis Konstruksion) & LLAZO & ED KONSTRUKSION” dhe operatorin ekonomik “INERTI”.

Në fazën e dytë te tenderimit, do të klasifikohej bashkimi i operatorëve “BE – IS” shpk & ERGI & 2T”, por në mënyrë të pashpjegueshme këto kompani do të tërhiqeshin nga gara e organizuar nga kryetarja aktuale e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, asokohe nënkryetare.

Tërheqja nga tenderi i këtyre kompanive do të sillte shpalljen automatikisht fitues të konsorciumit “ Ish EURO-ALB (Lis Konstruksion) & LLAZO & ED KONSTRUKSION”, i cili gjendej në vend të dytë me ofertën 247 milionë lekë ose 2.4 milionë euro, sa 99.9% e fondit limit.

Sipas banorëve, pasi filluan punimet për riforcimin e pallatit, kompanitë nuk mbyllën të gjitha punimet e kontratës të lidhur me bashkinë.

“ Edhe për apartamentet që dëmet ishin të konsiderueshme, punimet u bënë si u bënë. Është vendosur dorë nga të gjithë banorët për të sistemuar punimet që janë riparuar nga firma”, thekson Jonida Cece, administratore e pallatit.

Sipas Open Data Albania, “Lis konstruksion” (Ish EURO-ALB) ka marrë vetëm 204 milionë lekë ose 2 milionë euro nga bashkia, të cilat korrespondojnë vetëm me 82% të fondit që duhet të kishte marrë kompania.

Por, pavarësisht se kompania ka mbetur pa u likujduar për 18%  të vlerës se tenderit të fituar, çuditërisht ky subjekt nuk ka depozituar asnjë ankesë kundrejt bashkisë për mos shlyerje të pagesave.

“Vetting” kontaktoi Bashkinë e Durrësit për arsyet e ndërprerjes së punimeve nga kompania dhe cilat ishin masat e ndërmarra ndaj kompanisë, por deri në publikimin e këtij materiali institucioni refuzoi tu përgjigjej këtyre pyetjeve./BW/

Në lidhje me këto fakte akoma nuk ka reaguar  “Lis konstruksion” (Ish EURO-ALB).

SHKARKO APP