2 deputetë të opozitës sot në kuvend, mësohet arsyeja
Opozita nuk do të jetë e pranishme në seancën plenare të kësaj të enjte, pasi ”Kuvendin” e saj do ta zhvillojë nga Vlora, aty ku do të denoncojë situatën e rëndë të krimit. Mësohet se në mesin e deputetëve të maxhorancës, do të jenë edhe dy deputetë të opozitës, kjo jo për të kthyer bojkotin e vendosur nga PD-ja dhe partitë aleate me të.
Lefter Koka e Vangjel Tavo, dy deputetët e LSI-së do të jenë në parlament sot vetëm për procedurë pasi janë në limitet e afatit 6 mujor të mos-prezencës dhe prania e tyre në kuvend është për të shmangur djegien e mandateve. Ata nuk do të votojë, thjesht do të regjistrojnë pjesëmarrjen.
”Sot në Kuvend do marrin pjesë dy deputetët e LSI-së Lefter Koka dhe Vangjel Tavo. Ata do të jenë vetëm për procedurë, pasi janë në limitet e afatit 6 mujor të mos prezencës në sallë. Pra do jenë sot në Parlament për të shmangur djegien e mandateve dhe pas kësaj do të rilënë sallën menjëherë. Tavo dhe Koka kane munguar për arsye familjare”, njofton LSI-ja.
Të martën maxhoranca në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, pranoi dekretin e Presidentit të Republikës, duke i bërë disa ndryshime ligjit për Teatrin. Sipas amendimeve, hapet gara për realizimin e projektit si dhe zhvillimin e zonës përreth, në qendër të kryeqytetit.
Varianti i mëparshëm parashikonte që gjithçka të realizohej nga kompania “Fusha”, e cila merrte përsipër ndërtimin me fondet e saj të godinës së re sipas projektit të arkitektit të njohur danez Bjarke Ingels, në këmbim të mundësisë për të ndërtuar një bllok pallatesh shumëkatëshe në zonën pas Teatrit në një sipërfaqe e cila në pjesën dërrmuese është në pronësi shtetërore.
Sipas opozitës, ligji ka rënë dhe sot maxhoranca duhet të kalojë në Kuvend vetëm dekretin e Presidentit, duke i thënë “Po” ose “Jo”. Për opozitën, gara është formale dhe kompanitë që mund të ishin të interesuara janë në kushte të pabarabarta me kompaninë “Fusha”, kjo pasi afati që ju është lënë për dorëzimin e projektit është vetëm 30 ditë.
KOHA JONË SONDAZH

