2 miliardë euro ndihma për biznesin dhe qytetarët

Qeveria greke ka miratuar një paketë të re ndihme për biznesin gjatë periudhës së vështirë ekonomike që ka ardhur si pasojë e krizës së pandemisë. Java e fundit në shtetin fqinj është shoqëruar me rritje të shpejtë të rasteve, çka ka sjellë edhe rikthimin e masave strikte në Selanik.

Paketa ndihmëse e prezantuar nga zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas kap një vlerë prej 2.3 miliardë eurosh dhe përfshin 9 masa shtesë dhe përfshin pezullimin e TVSH-së, deri në 30 prill, shtyrjen e kredive dhe asistencave deri në fund të vitit. Paketa, gjithashtu përfshin edhe uljen e çmimit të qirave, për studentët dhe punonjësit e bizneseve të mbyllur.

Paralelisht, qeveria greke ka marrë masa dhe për fuqizimin e sistemit shëndetësor me shtimin e 7000 mjekëve dhe 420 shtretër me njësi të terapisë intensive. Greqia ka regjistruar që nga muaji shkurt deri më tani 42 mijë infektime dhe 640 humbje jete. Ndërkohë, nga vendi ynë edhe pse në valën e shtimit të rasteve dhe marrjen e masave paraprake anti-covid, ende nuk ka asnjë sinjal për një paketë të tretë megjithë kërkesat e vazhdueshme të biznesit.

Paketa ndihmëse në Greqi (2.3 mld euro):

-Kompensimi dhe mbulim total i kontributeve, për bizneset me pezullim të përkohshëm
-Pezullimi i TVSH-së deri më 30 prill 2021, për kompanitë e mbyllura në nëntor
-Pezullimi i pagesës së kësteve të nëntorit për borxhet tatimore për bizneset
-Pezullimi i pagesës së kësteve të nëntorit, për borxhet tatimore për punëtorët
-Vijim i pezullimit të shlyerjes së kësteve të kredive
-Shtyrje e të gjitha asistencave të papunësisë me dy muaj
-Punësim në platformë elektronike për të paktën 50% të personelit
-Ulje e qirasë me 40% për bizneset, punëtorëve të bizneseve që nuk funksionojnë dhe studentëve;
-Programi financiar “paradhënie me kthim” në nëntor, bazuar në xhiron e muajve shtator-tetor

SHKARKO APP