2 të vrarë në Shkodër, Bardhi: Policia e zënë me kundërshtarët e Ramës
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka reaguar për masakrën në Shkodër, ku u vranë me armë zjarri dy persona dhe dy të tjerë u plagosën. Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi akuzon Policinë që sipas tij duhet ta kishte parandaluar vrasjen nëse do të ishte në detyrë.
“Në Shkodër, në mes të qytetit, ndodh një atentat mafioz me disa të vrarë dhe disa të plagosur, ngjarje që nëse Policia do ishte e fokusuar në punën e saj mund dhe duhet të ishte parandaluar.
Ndërkohë, Policia e Shtetit është e zënë me përndjekjen politike të çdo kundërshtari të Edi Ramës, deri në absurditetin e “arrestimit” edhe të makinave.
Është një akt kriminal nxjerrja e Policisë së Shtetit jashtë funksioni! Kjo sjell cenim të sigurisë publike dhe akte të rënda si kjo e sotmja. Policia e Shtetit që supozohet të luftojë krimin, është shndërruar në mbrojtëse e krimit dhe në vegël në dorën e tij për të goditur opozitën”,-shkruan Bardhi.