2 vite burg për Belerin, reagon Berisha: Proces farsë dhe akt flagrant i armikut të votës së lirë

Sali Berisha thot[ë se dënimi me 2 vite burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin, përbën një akt flagrant të armikut të egër të votës së lirë të shqiptarëve. Teksa procesin e ka quajtur farsë, Berisha shprehet se kjo do të thotë se nuk pranon vullnetin e qytetarëve dhe se sipas tij, drejtësia është shndërruar në një vegël të verbër të pushtetit të krimit.

“Sot ai dëshmoi para shqiptarëve me dënimin e kryetarit të zgjedhur me votën e qytetarëve të Himarës, Fredi Belerit, me dënimin pa asnjë shkak, pa asnjë faj, me dënimin mbi bazën e një dosje të stisur si në kohërat më të zeza të sigurimit të shtetit. Me dënimin e tij, Edi Rama, miqtë e mi, ju faktoi shqiptarëve se pavarësisht se si ju do të votoni, kurrë nuk do të keni atë që doni me votën tuaj. Ky përbën një akt flagrant të këtij armiku të egër të votës së lirë të shqiptarëve. Të dënosh me një proces farsë, një qeveritar të zgjedhur vendor, do të thotë se nuk pranon vullnetin e qytetarëve se dhe drejtësinë e ke shndërruar në një vegël të verbër të pushetit të krimit”, tha Sali Berisha.

Gjatë fjalës së tij nga dritarja e banesës ku qëndron në izolim që prej 30 dhjetorit 2023, Berisha ju tha mbështetësve se çdo moment që kalon është vendimtar për fatin dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për betejën pa kthim në përmbysjen e regjimit.

“Çdo orë, ditë që kalon dëshmon se sa jetike, vendimtare është për fatin, për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, beteja pa kthim për përmbysjen e regjimit, e narko-regjimit të bazuar në aleancën e pushtetit me organizatat kriminale, me korrupsionin dhe vjedhjen e shqiptarëve, me drogën. Çdo ditë regjimi tregon fytyrën e tij të shëmtuar. Nuk ndalet në krimet e tij nga asgjë”.

SHKARKO APP