20 vjetori i dëshmorit Zylyftari/Veliu: Dora e pabesë që u ngrit mbi ty ka 3 vjet që sfidon shtetin
Këtë të dielë është përkujtuar 20 vjetori i rënies në krye të detyrës të dëshmorit Arben Zylyftari. Në këtë ceremoni morën pjesë drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, familjarë të dëshmorit, nënkryetari i Bashkisë së Beratit Luçiano Bojaxhiu, drejtori i Policisë së Beratit si dhe miq të dëshmorit.
Si sot 20 vite më parë, një nga oficerët e Policisë së Shtetit, drejtoi operacionin policor për kapjen e një autori me veprimtari të rrezikshme kriminale dhe fatkeqësisht, gjatë kryerjes së operacionit, dora kriminale i mori jetën Arbenit. Gjatë fjalës së tij, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se nuk ka kurajo më të madhe për punonjësit e Policisë së Shtetit, shembull më të fortë se ai i Arbenit, për ta bërë Shqipërinë vend më të drejtë.
”E kam të vështirë të flas për një oficer policie që ka humbur jetën në krye të detyrës në përballje me krimin, por e kam akoma edhe më të vështirë kur këto fjalë duhet t’i them për një nga miqtë me të cilin punova afër për një vit në Vlorë. Rënia e tij në krye të detyrës ka lënë gjurmë të forta tek unë. Zakoni e do që të thuhen fjalë të mira për atë që ikën nga kjo botë. Arbeni e kishte shkruar vetë respektin, mirënjohjen dhe dinjitetin në çdo ditë të detyrës së tij, me peshën e misionit që mbante mbi supe”.
Nga ana tjetër, Veliu tha se të gjithë janë me sytë nga drejtësia e re. ”Arben Zylyftari dhe qindra dëshmorë të Policisë sakrifikuan jetën për vlera dhe parime, për drejtësi, rend e siguri për qytetarët, por fatkeqësisht këto 3 dekada, dora e pabesë që u ngrit mbi ty Arben ka më shumë se 3 dekada që përpiqet të sfidojë shtetin, ligjin e drejtësinë dhe drejtësia e vjetër rrallë u ka dhënë dënimin e merituar. Të gjithë sot jemi me sytë nga drejtësia e re”.