200 forca policore morën pjesë në operacionin “Shpirti”. Policia nxjerr pamjet nga të arrestuarit e përfshirë në trafikun e drogës

200 forca policore morën pjesë në operacionin “Shpirti” me qëllim goditjen e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Pamjet tregojnë disa prej të arrestuarve dhe sendet e sekuestruara, mes tyre para dhe armë.

Në operacionin në vendin tonë janë përfshirë Renea, FNSH Tiranë e Fier, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Gjirokastër e Durrës.

“Pamje nga operacioni ndërkombëtar i koduar “SHPIRTI”, për goditjen e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, korrupsionit dhe pastrimit të parave. Për ekzekutimin e masave të sigurisë të dhëna nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të operacionit “SHPIRTI”, janë angazhuar 200 forca policore nga reparti special Renea, FNSH Tiranë e Fier, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Gjirokastër e Durrës. Operacioni është zhvilluar në kushte të larta sigurie për forcat policore pjesëmarrëse, në të njëjtën kohë në të gjitha qarqet, për ekzekutimin e urdhrave të lëshuara nga Gjykata. Gjatë operacionit janë sekuestruar 2 armë zjarri dhe rreth 60 mijë euro. Interpol Tirana dhe Fast Albania po bashkëpunojnë me homolgët për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të këtij operacioni. Edhe në këtë operacion Policia e Shtetit tregoi profesionalizëm të lartë dhe besueshmëri te partnerët, e shprehur kjo edhe gjatë konferencës së përbashkët të zhvilluar paraditen e sotme në ambientet e SPAKU-t, nga krerët e policive dhe agjencive ligjzbatuese pjesëmarrëse në këtë operacion. Sigurojmë qytetarët dhe homologët se Policia e Shtetit është shumë e vendosur dhe e angazhuar maksimalisht për të punuar dhe bashkëvepruar me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim parandalimin, evidentimin, hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar në cilëndo fushë që ai shfaqet”, shkruan policia.

SHKARKO APP