2019, rikthehen ndërtimet informale/ Prokuroria: ”1743 procedime për punime të paligjshme, rritje 33% krahasuar me vitin 2018”

Viti 2019 duket se ka shënuar një rikthim të fenomenit të ndërtimeve të paligjshme, Televizioni Scan disponon të dhënat e hetimeve nga Prokuroritë në gjithë vendin lidhur me veprën penale të ndërtimit të paligjshëm. Sipas të dhënave, gjatë vitit të shkuar organi i akuzës ka nisur në total 1743 procedime penale për ndërtime të paligjshme, me një rritje prej 33% krahasuar me një vit më parë, kur numri i procedimeve ishte 1310.

Numrin më të madh të procedimeve të regjistruara për këtë vepër penale e kanë prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë Tiranë e Elbasan që përbëjnë respektivisht 16 % dhe 15 % të numrit total të procedimeve në shkallë vendi. Në vijim prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Durrës që ka regjistruar 12 % të numrit total të procedimeve në shkallë vendi. Prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë Vlorë e Berat që kanë regjistruar respektivisht 8 % të numrit total të procedimeve në shkallë vendi, prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Shkodër që ka regjistruar 7 % të numrit total të procedimeve në shkallë vendi.

Rritje ka shënuar edhe numri i të pandehurve të proceduar për këtë vepër penale, nga 854 në 2018, në 935 për vitin 2019. Prej tyre, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, janë dënuar 648 persona. /Scan

SHKARKO APP