2019, viti i mafies. 57 të vrarë, tritol mbi prokurorët dhe supergrabitja në Rinas

Bandat vranë rivalët, vendosën tritole dhe kërcënuam me jetë prokurorë dhe gjyqtarë. Por politika mbetet e ngërthyer me bandat e krimit.

Nga Redjon Shtylla

Një vit më tragjik se 2018! Një seri vrasjesh, atentatesh, ekzekutimesh mafioze, larje hesapesh, pazare droge, krime në familje, krim pasioni dhe supergrabitja në Rinas, janë ngjarjet që shënuan rëndë kronikën e 2019. Sipas raportit të Policisë së Shtetit, dora e krimit i mori jetën 57 personave. Bandat vranë rivalët, vendosën tritole dhe kërcënuam me jetë Prokurorë dhe Gjyqtarë. Supergrabitja në Rinas, në vetëm 4 minuta zbuloi se koncesionari nuk kishte mundësuar as sigurinë e aeoroportit. As ngjarjet krimet me ngjyrë rozë nuk munguan këtë vit. Të gjithë për javë të tëra folën dhe komentuan vrasjen në banesën e Marsida Qatjes në Kavajë. Drejtësia nga ana tjetër, ka dhënë vendime edhe për politikanët. Ish-minstri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të “vuajë” dënimin prej 3.4 vite shërbim prove, kurse për “Eskobarin e Ballkanit”, Gjykata vendosi dënimin me 10 vite burg.

21 dhjetor-Tritol makinës së prokurorit

Një sasi tritoli shpërtheu në makinën e Albert Kuliçit, zv/drejtues në Prokurorinë e Vlorës. Puna e Kuliçit si prokuror pritet të jetë pista kryesore ku do të përqëndrohen hetimet. Me origjinë nga Tropoja, Kuliçi ka patur në dorë vitet e fundit çështjet më të bujshme në Vlorë, duke filluar nga skandali i madh i tjetërsimit të pronave në Karaburun dhe Zvërnec, ku i përfshirë ishte edhe një biznesmen dhe 4 zyrtarë u dënuan me burg. Prokurori Kuliçi nuk i është nënshtruar ende procesit të Vetting-ut.

19 dhjetor-Nderi i motrës, gardian vret dy të rinjtë

Për të mbrojtur motrën, gardiani në burgun e Fierit, Martin Skëndaj, vrau dy kushërinjtë, Elis Kapaj dhe Manol Rrapaj, 22 dhe 26-vjeç. Motra e gardianit, edhe pse e martuar ka qënë e dashuruar me viktimën Manol Rrapaj. Sipas dëshmive ky i fundit shkonte dhe e takonte në fshatin ku ajo jetonte me burrin. Mëngjesin e ngjarjes ata janë zënë përsëri dhe në Poliklinikën e Patosit, Martini ka nxjerr pistoletën dhe ka qëlluar mbi Manolin dhe kushëririn i cili vdiq në spital.

11 nëntor-Prokuroria urdhërarrest për Agim Kajmakun

Prokuroria e Tiranës firmos urdhër arrestin për ish-kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Ndaj Kajmakut është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” në lidhje me hetimin që zhvillohet në ngarkim të tij, si i dyshuar për tre vepra penale, “shpërdorim detyre”, “falsifikim i formularëve” dhe “ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.

1 nëntor-Atentat prokurorit, vdes shoferi

Plumbat e mafies goditën makinën ku udhëtonte prokurori Arjan Ndoja dhe plumbat i morën jetën shoferit të tij. Atentati ndodhi tek mbikalimi i Shkozetit dhe Ndoja pohon se ai nuk është ndjerë në asnjë çast i kërcënuar me jetë, deri në momentin që emri i tij është lakuar në media. Arjan Ndoja është prokuror në Prokurorinë e Rrethit Durrës prej vitit 2008. Për këtë ngjarje, i vetmi i arrestuar është Redjan Rraja dhe 34 vjeçari ka refuzuar të përfitojë statusin e bashkëpunëtorit.

17 tetor-10 vite burg për “Eskobarin e Ballkanit”

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka dënuar me 10 vite burg Klement Balilin. Ai u shpall fajtor për akuzën e “trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe dënohej për këtë 14 vjet burg, për akuzën e “pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal” 2.6 vjet burg, për “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive i nëpunësve civilë” me 6 muaj burg dhe për “pastrim të parave” më 5 vjet burgim. Në bashkim të të gjitha dënimeve, ai u dënua me 15 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar Balili përfitoi ulje të 1/3 së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 10 vjet.

10 tetor-Marsida Qatja, vrasja në Kavajë

Ngjarja kriminale e veshur me nuanca rozë në banesën e Marsida Qatjes, mbajti të mbërthyer për 3 muaj publikun. Dritan Haxholli hyri në banesën e Marsidës mbrëmjen e 10 tetorit dhe qëlloi në një distancë dy metër Bledar Toçin, duke e lënë të plagosur. Polici i është kundërpërgjigjur më disa të shtëna, duke e lënë të vdekur. Aty ndodhej Marsida Qatja dhe Xhulio Biturku kurse fqinji tjetër ishte larguar për të marrë pije dhe ushqime. “Dritan Hoxholli më kërcënonte shpesh. Vinte tek dritarja dhe ngacmonte, e bënte përnatë këtë punë”, thotë Qatja. Po pse ndodhte kjo? “E bënte me të gjithë. Unë jam viktima, jo molla e sherrit. Dritan Hoxholli ka qenë person problematik, kërkohej nga policia. Ai i ngacmonte të gjithë, madje edhe këto gocat që fshinin rrugës”.

19 shtator-Shërbim prove për Tahirin, ranë 3 akuza

Gjykata e Krimeve të Rënda, dënoi me 3.4 vite shërbim prove ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për “shpërdorim detyre”. Gjykata shprehet se masa me burgim për Tahirin do të pezullohet pasi ai ka një fëmijë të mitur në ngarkim. Gjykata e shpalli ish-ministrin të pafajshëm për tre akuzat e ngritura nga Prokuroria “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Pavarësisht se nuk ka elemente provues për të mbështetur përgjimet ambjentale të Habilajve, ka prova dhe indicje që tregojnë një situatë marrëdhëniesh apo lidhjesh të qëndrueshme të të pandehurit, Saimir Tahiri me të pandehurin Moisi Habilaj por që nuk plotësojnë kushtet për ekzistencën e fakteve.

19 shtator-Ekstradohet nga Gjermania Arbër Çekaj

Arbër Çekaj, pronari i kontejnerit ku u sekuestruan 613 kilogram kokainë u ekstradua në Shqipëri. Çekaj u arrestua në mars të vitin 2018 në një provincë të Dyseldorfit. Ai fillimisht kërkoi azil me pretendimin se i rrezikohej jeta në Shqipëri. Policia sekuestroi 613 kilogram kokainë në një kontejner që transportonte banane. Për këtë sasi droge u arrestuan Donald Lushaj dhe Armando Pezaku, shoferi i kamionit që transportoi kontejnerët me banane dhe kokainë drejt magazinave të Arbri Garden në Maminas. Procesi vijon.

“Gushti i përgjakur”, 7 të vrarë

Seria e vrasjeve do të fillonte më datën 1 gusht. Në Durrës u ekzekutua Feriz Bardhi. Ai ishte një emër i njohur për policinë, pasi ishte arrestuar në Itali për trafik droge. Pista kryesore e hetimeve duket se janë konfliktet për drogën, por policia po vijon hetimet dhe ende nuk ka një autor të dyshuar.

Më 4 gusht 

Në orët e pasdites, në Vlorë u ekzekutua Arben Beqiri. Pas sherrit me disa të rinj ata ishin kthyer të armatosur në lokalin e Brahimajt dhe hapën zjarr ndaj tij duke e lënë të vdekur ndërsa plagosën djalin e tij, Brikelo Beqiri dhe nipi i tij Olsi Beqiri.

Më 8 gusht

Në Selenicë u ekzekutua Dilaver Tozaj. 47-vjeçari u qëllua 7 herë në kokë dhe kraharor. Dyshohet se ka qenë një autor i vetëm, kjo për shkak se është qëlluar shumë afër. Viktima ishte me precedencë të mëparshëm penalë, ku në vitin 2011 Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e kanë dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim për trafik droge.

Më 12 gusht

Në afërsi të Fierit u gjet i vrarë me thikë në fyt dhe i hedhur në kanal 23-vjeçari Florian Selimi. Po në të njëjtën ditë, në qendër të Rrëshenit do të ekzekutohej me armë Armando Gjini, i njohur edhe me ermin Tonin Gjini. 48-vjeçari nuk ishte një emër i panjohur i policisë. Ai ka qenë i skeduar pasi dyshohej si një nga pjesëtarët e grupit të Met Kananit, i njohur si një nga baronët e drogës.

Më 17 gusht

Opinioni publik u trondit kur pa videon e Mihal Kokëdhimës, pranari i një lokali në Porto Palermo, teksa godiste mizorisht xhamin e furgonit të mbushur me turistë. E gjithë kjo, sepse këta të fundit nuk e kishin pëlqyer ushqimin dhe shërbimin e restorantit të tij. Kokëdhima i hedhur përpara makinës, gjuan pambarimisht xhamin e parmë deri sa e thyen. Videoja u bë virale dhe menjëherë pas kësaj, ish-klientë të atij vendi ndanë eksperienca të ngjashme me atë të turistëve të huaj. Kokëdhima u dënua me 1 vit burg nga gjykata.

Më 22 gusht

Vrasjet do të zhvendoseshin në Tiranë. 26-vjeçari Indrit Çelaj, që punonte si teknik kondicionerësh u qëllua me armë zjarri në kokë nga djali i pronarit të godinës ku po punonte në rrugën “Myslym Shyri”.

Më 27 gusht 

Ish-polici 26-vjeçar Santiago Malko u qëllua për vdekje në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë. Malko ishte një person i njohur për policinë e Tiranës. Ai ka qenë efektiv i patrullave gjatë vitit 2015-2016. Në fillim të 2016-ës ai është larguar nga policia për tu marrë me biznes. Në prill të atij viti ai pati një përplasje me vëllezërit Edmond dhe Gentian Lashi për shkak të konflikteve për bastet sportive që kontrollonin në zonë. Malko dyshohet se ka qenë i pranishëm kur ndodhi masakra në lokalin “Monopol” në Bllok në 4 tetor 2018 ku një person mbeti i vrarë dhe u plagosën 2 të tjerë.

6 maj-Dëshmorët Tanushi dhe Hasanaj

Më 6 maj në kampin e NATO-s në Letoni, gjatë një seancë stërvitore shpërtheu një minë. Si pasojë e shpërthimit humbi jetën në vend nëntetarja Zarife Hasanaj dhe u plagos rëndë major Klodian Tanushi. I plagosur mbeti edhe nëntetari Julian Kapaj. Katër ditë më pas, humbi jetën edhe major Tanushi, i cili nuk i mbijetoi dot plagëve të marrë.  Dy ushtarakët e vrarë u nderuan me titullin “Dëshmor i atdheut”.

9 prill-Rinas, në 4 minuta u grabitën 4.6 mln euro

Në më pak se 4 minuta, në aeroportin “Nënë Tereza” u grabitën rreth 4.6 milion euro, të cilat do të transportoheshin jashtë vendit. Grabitësit arritën të çanin perimetrin e jashtëm të sigurisë në Rinas dhe morën paratë në pistën e uljes së avionëve me një fugon. Pas grabitjes, gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë mbeti i vrarë Admir Murataj, i cili pretendohej se ishte edhe koka e bandës. Ndërkohë të arrestuar janë gjashtë persona të dyshuar: Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Elton Pikli, Saimir Cela dhe shtetasi nga Kosova, Ragip Hajdini. Alkond Bengasi është bërë dëshmitar i drejtësisë dhe ka dhënë dëshmi që i shërbejnë zbardhjes së supergrabitjes. Policia dhe Prokuroria kanë mundur të sekuestrojnë mbi 2 milion euro asete të familjarëve dhe të afërmëve të përfshirë në këtë grup kriminal të grabitjeve të blindave dhe parave në Rinas. Lajmi shokoi opinionin publik për ditë me rradhë. Kjo e tregoi botërisht se koncesionari nuk kishte mundësuar as sigurinë e aeoroportit.

Në 120 ditë, 23 vrasje

Viti 2019 nisi përgjakshëm. Në ditën e dytë të 2019-ës, krimi tronditi Mallakastrën ku 34-vjeçari, Gazmend Musta masakroi me thikë bashkëshorten e tij dhe motrën e saj.

Më 14 janar 2019, një tjetër krim, madje i trefishtë tronditi Tiranën. Dhëndëri, vret vjehrrin, vjehrrën dhe më pas veten. Bëhet fjalë për 63-vjeçarin Bujar Mata dhe Valentina Mata e për Majlind Lilën. Pasi ka vrarë me armë zjarri dy ish-vjehrrit e tij nga Korça, 52-vjeçari me origjinë nga Burreli la armën brenda në banesë dhe u hodh mbi disa kangjella nga ballkoni i katit të dytë.

Më 17 janar në Korçë u ekzekutua Altin Balliu. Ngjarja ndodhi pas një sherri në lokal që patën viktima me autorin, Olger Mustafa.

Në 30 janar, në Selitë, në prag të shtëpisë u vra ish-polici Arben Bilali.

Në Pukë më 18 shkurt në fshatin Kaftallë, Petrit Biba u qëllua për vdekje me breshëri plumbash. Autori Enderis Doda punonte bashkë me viktimën në një kantier ndërtimi.

Më 17 shkurt në Vlorë, Aurest Rexho dhe Arjan Hasani u qëlluan për vdekje me breshëri. Nga të shtënat u plagos Armando Sulejmani që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit. Edhe për këtë rast policia nuk ka asnjë të dyshuar. Një ditë më pas, në Tepelenë, Sokol Rama, i cili rezultonte i zhdukur prej 6 shkurtit u gjet i ekzekutuar nga shoku i tij Roland Milo, i cili u vu në pranga.

Më 24 shkurt, Martin Ndreca u vra në zonën e Kënetës në Durrës nga një shoku i tij. Konflikti ndodhi pasi 45-vjeçari po pinte me Ndue Zefin i cili i zuri pritë dhe e qëlloi për vdekje.

Më 15 mars, Esat Kotorri u qëllua për vdekje në biznesin e tij një furrë buke nga Seferino Troka për motive pronësie. Autori u arrestua pak momente pas ngjarjes.

Më pas më 16 dhe 18 mars kryeqyteti u trondit nga 2 vrasje. Haxhi Baçinozi u qëllua në kodrat e liqenit ndërsa Jurgen Kurti pranë shtëpisë së tij. Në Grudë të Shkodrës krimi i mori jetën dhe Nard Polisë për të cilin polica ka arrestuar 3 persona dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar.

Më 22 mars në qendër të Elbasanit u ekzekutua avokati Ravik Gurra. Për këtë ngjarje nuk ka ende asnjë të dyshuar ndërsa ekzekutimi ishte i tipit mafioz.

Më 30 mars, në Shkodër, u ekzekutuan vëllezërit Astrit dhe Ibrahim Bilali. Krimet e rënda goditën dhe Laçin ku viktima mbetën Kelvin dhe Erion Jushi ndërsa autorët u vetëdorëzuan dy ditë pas krimit.

SHKARKO APP