2021, urimi i Maliqit: Një jetë më e mirë do t’i presë shqiptarët vitin që po vjen
Deputeti Lefter Maliqi, përmes një postimi të shpërndarë në Facebook e ku shfaqet së bashku me familjen e tij, uron shqiptarët me rastin e vitit të ri 2021.
Maliqi shprehet shpresëplotë për vitin e ri teksa shprehet se “në pritje të ndërrimit të viteve… të reflektojmë e urojmë, pa ngjyra partiake, por me ngjyrat e një jete më të mirë që duhet dhe do ti presë shqiptarët viti që po vjen…”
“Kur të trokasim gotat sonte, sipas mundësive dhe kushteve të gjithësecilit, do të lutemi që çdo të keqe ta kemi lënë pas e të jetojmë ditë të mira e të mbara”, shkruan ndër të tjera Lefter Maliqi.
Mesazhi i plotë:
Gëzuar Vitin e Ri 2021! Në pritje të ndërrimit të viteve… të reflektojmë e urojmë, pa ngjyra partiake, por me ngjyrat e një jete më të mirë që duhet dhe do ti presë shqiptarët viti që po vjen…
Të dashur miq!
Përmbyllim sot një vit të gjatë, them i gjatë sepse kur ka vështirësi e dhimbje duket sikur nuk mbaron kurrë.
Ndryshe nga çdo vit tjetër, këtë herë shumëkush nuk do të festojë dot pranë familjarëve të zemrës për shkak të kufizimeve dhe frikës, e cila po na mban ende mbërthyer.
Por, jam i bindur që në këto kohë të vështira, shpresa dhe optimizmi për një vit të ri të bardhë, bëhet më e madhe.
Kur të trokasim gotat sonte, sipas mundësive dhe kushteve të gjithësecilit, do të lutemi që çdo të keqe ta kemi lënë pas e të jetojmë ditë të mira e të mbara.
Edhe pse e gjithë bota ishte e kapur nga e keqja këtë vit, Shqipëria akoma më shumë. Them akoma më shumë, për shkak se problemet dhe vështirësitë në vendin tonë të vogël, janë edhe më të mëdha.
Le të jetë një shembull që të na ketë shkundur të gjithëve ky vit, e që të mos kursehemi në të mirat që do dhe duhet të bëjmë për popullin tonë të urtë, dinjitoz e të mirë.
Të lutemi e të urojmë që viti 2021 të na japë shëndet, mbarësi e lumturi.
GËZUAR TË GJITHË SHQIPTARËVE KUDO KU JANË!
Respekt e urime nga familja Maliqi!