“21 Janarët!”, Bushati: Kanë ndodhur ngjarje që na kanë nderuar, dhembur, por edhe turpëruar
Për ish-ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati më 21 janar kanë ndodhur ngjarje që na kanë nderuar, na kanë dhembur dhe na kanë turpëruar.
Në një postim në rrjetet sociale, deputeti socialist thotë se 100-vjetori i Kongresit të Lushnjes është një ngjarje që na nderon, si dëshmi e maturisë politike.
14 vjet më parë në këtë datë është ndarë nga jeta Ibrahim Rrugova, i cili ndërkombëtarëzoi çështjen e Kosovës. Dhe nëntë vite më parë ngjarjet e 21 janarit 2011 për të cilën ish ministri thotë se drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e saj.
Statusi i plotë:
21 Janarët!
I pari na nderon. 100 vjetori i Kongresit të Lushnjes është dëshmi e maturisë politike të njerëzve të mençur që ditën të bëhen bashkë për fatet e Shqipërisë në momente kritike.
I dyti na dhemb. Pasi lidhet me ndarjen nga jeta të Ibrahim Rugovës, në 2006-ën. Personalitetit që udhëhoqi rezistencën ndaj Serbisë e që ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës.
I treti na turpëron. Sepse më 21 Janar 2011, shteti vrau 4 protestues të pafajshëm dhe drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e saj.