“21 raste raportimi për blerje vote”

 

Deri në datën 12 qershor, në portalin Za’Lart kanë mbërritur 200 raportime qytetare.

Ato përmbajnë informacion dhe denoncime për abuzime në kuadër të fushatës zgjedhore.

Raportimet janë të ndara në 12 kategori shkeljesh, ku numri kryesor i raportimeve ka të bëjë me raste të keqpërdorimit të administratës dhe sektorit publik.

Për këto lloj shkeljesh ka një sensibilitet të lartë që përkon me 44% të rasteve të raportuara apo thënë ndryshe me 98 raportime.

Tentativa për blerje të votës kundrejt parave apo me shërbime dhe kundrejt interesave të drejtpërdrejta është raportuar në 21 raste.

Vend në raportime qytetarë zënë edhe njoftimet për tensione dhe parregullsi sikurse ndërhyrja apo prezencë e forcave të policisë së shtetit.

Sa i takon përdorimit të sektorit publik konstatohen raste të urdhëruara të prezencës së punonjësve të administratës në mitingje elektorale, kërkesa për ta deklaruar dhe premtuar votën kundrejt mundësive për të mbajtur vendin e punës.

Raste tipike janë largimet e bluzave të bardha nga spitalet dhe qendrat shëndetësore për pjesëmarrje në takime elektorale në orar të punës dhe duke lënë pa kujdes edhe pacientët përkatës.

Këto raportohen në Librazhd, Fushë Arrëz, Mirditë dhe Berat.

Gjithashtu konstatohen raste më të përshkallëzuara të përdorimit të sektorit publik në bashki ku rikandidojnë kryetarët aktualë.

Tentativa për ta pasur votën e 18- vjeçarëve duke tentuar të rekrutohen ata në shkolla publike, është një detaj që është raportuar në Vorë, Rrëshen, Kukës, Kamëz dhe Lezhë.

Probleme janë vënë re edhe me objektet që do të përdoren si qendra për KZAZ ku raportohen se shumë prej tyre janë në godina publike të papërshtatshme si godina të bashkive, objekte të institucioneve që refuzojnë të vënë sallat në dispozicion të KZAZ-ve apo raste të godinave të shkollave të mesme të cilat në datën 19 qershor vetëm 48 orë para votimeve do te jene ne dispozicion te matures shtetrore.

Janë deri tani 21 raste raportimi për blerje vote.

“Theksojmë se deri tani ato nuk përbëjnë raste tipike të vërtetuara, të blerjes së votës kundrejt shumave konkrete. Por nisur edhe nga eksperienca me Za’Lart 2013, ngjarje të tilla shënohen me intensitet në javën e fundit të fushatës e për këtë i bëjmë thirrje qytetarëve ti raportojnë raste të tilla në Za’Lart,” thekson kjo organizatë.

SHKARKO APP