210 të shtruar/Mjekja ngre alarmin: Atyre që u del tamoni negativ, virusi u ka kaluar në mushkëri

Në njoftimin e përditshëm për mediat, Ministria e Shëndetësisë përditëson të dhënat e Covid-19 në vend. Dje u tha se në spitalet COVID po marrin mjekim 112 pacientë. Marjeta Dervishi, nga ISHP bëri të ditur se 18 pacientë janë në terapi intensive, 3 prej të tyre të intubuar. Si qëndron e vërteta sipas mjekes së njohur, Silvana Bala?

Silvana Bala, Shefe e Pneumologjisë tek spitali “Shefqet Ndroqi” hedh dyshimet se numri i të infektuarve është më i lartë se ai që deklarohet. Bala thekson se vetëm në spitalin “Shefqet Ndroqi” janë 210 pacientë të shtruar, që shfaqin probleme pneumologjike dhe sipas pamjeve imazherike kanë Covid-19 në mushkëri. Ajo sqaron më tej se ka edhe të infektuar që tamponi u del negativ. Kjo sipas saj, pasi virusin këta pacientë e kanë në mushkëri dhe jo në rrugët e frymëmarrjes ku merret sekrecioni.

“Është një situatë e rënduar. Unë kam këtu rreth 210 të shtruar. Vështirësia në frymëmarrje që është simptoma kryesor i këtyre rasteve, 2/3 e tyre dalin me tampon negativ sepse e kanë kaluar stadin e parë në shtëpi. Covid-19 me test nazofaringial del në ditët e para. Kur infeksioni zbret poshtë testi që merret në rrugët e sipërme respiratore rezulton negativ, ama pjesët e poshtme të mushkërive janë prekur. Është vendosur pneumonia”.

Specialistët tek “Shefqet Ndroqi” thonë se tek urgjenca e këtij spitali paraqiten rreth 50 raste në ditë dhe gjymsa e tyre shtrohen. “Ka edhe mosha të reja që shtrohen, nga mosha 18 deri në moshën 40-vjeç”.

SHKARKO APP