24 mijë kandidatë për 61 bashki, Krasniqi: 18 anëtarë nga një familje e vetme
Në zgjedhjet e 14 Majit janë 42 parti që i kanë ofruar qytetarëve rreth 24 mijë kandidatë për t’i përfaqësuar në 61 bashkitë e vendit. Ky numër i lartë i kandidatëve nuk është tregues demokracie për politologun Afrim Krasniqi. Në një hulumtim të kryer prej tij, shumë kandidatura kanë rezultuar fiktive.
“Një numër partish që nuk ekzistojnë, që nuk kanë as struktura, figurojnë që kanë konkurruar në nivel kombëtar në një numër të madh të bashkive, dhe kur shikojmë përbërjen, ata kanë gjetur anëtar të një fisi të caktuar. Ka bashki ku një parti ka 18 anëtar të një familje si kandidat për këshillin bashkiak”, tha Krasniqi.
Sa i përket mënyrës së organizimit të fushatës elektorale, Krasniqi shprehet se qytetarëve nuk po u ofrohen programe elektorale por përballje politike.
“Aty diskutohet fisi që të gjej një parti, të dërgoj një njeri në Këshillin bashkiak që të përfitojë ato privilegje që nga lejet e ndërtimit deri tek ndihma sociale. Ka aspekt financiar sepse përmes votës dhe shitblerjes së mandatit, kthehet në një lloje marrëveshje të tregtimit të votave në nivelet politike, në nivelet të larta”.