24 organizata kundër Aktit Normativ

24 organizata të shoqërisë civile, kryesuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti për Studime Politike, i bënë thirrje Parlamentit të rrëzonte Aktin Normativ si antikushtetues. Sipas tyre, ai cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe të drejtat dhe liritë e njeriut, parime që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Organizatat kritikojnë miratimin e aktit në Komisionin e Ligjeve dhe të Sigurisë pa konsultim publik dhe pa dëgjuar oponencën e tyre. Sipas tyre, akti dobëson pavarësinë ligjore dhe efektive të Prokurorisë dhe mund të dëmtojë luftën kundër krimit të organizuar, për shkak se veprimet e ndërmarra nga Operacioni Forca e Ligjit si strukturë e ekzekutivit, në disa raste edhe me efekt të menjëhershëm, mund të rrëzohen më vonë nga gjykatat si veprime jo në përputhje me standardet kushtetuese dhe të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kjo mund të penalizojë shtetin në Gjykatën e Strasburgut. Akti Normativ mbingarkon SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me kompetenca në tejkalim të atyre kushtetuese, ndërkohë që këto institucione po përballen aktualisht me një numër voluminoz dosjesh të mbartura nga organet e mëparshme të drejtësisë.

SHKARKO APP