24 vite nga tragjedia e Otrantos me 81 viktima, i mbijetuari kërkon drejtësi për humbjen e familjes
E diela e 28 Marsit shënon të 24-tin vit nga ngjarja tragjike e Otrantos. 81 shqiptarë, ndër ta shumë gra e fëmijë, humbën jetën në ujërat italiane, pasi anija “Kateri i Radës” me të cilën lundronin u godit nga luftanija italiane “Sibila”.
Trupat e 24 viktimave nuk u gjeten kurrë, duke shtuar edhe më tepër plagët e familjarëve të tyre.
Krenar Xhavarrës koha nuk ia ka shëruar dhimbjet. Nga brigjet e Vlorës u nis së bashku me vajzën 6 muajshe, bashkëshorten por tragjedia e detyroi ta përfundonte i vetëm udhëtimin.
Në një intervistë me gazetaren Alba Kepi per “Ora News” kujton atë ditë që ndryshoi përgjithmonë jetën e tij.
Krenar Xhavara: U nisëm rreth orës tre pasdite nga Moli Zero i Portit të Vlorës. Sapo mbërritëm në ishullin e Sazanit na doli përpara anija ushtarake italiane Zeffiro, mjaft e madhe në krahasim me anijen tonë e na u vu në ndjekje për rreth një orë. Më pas u zhduk, Pas saj një tjetër anije e quajtur Sibila, emrin e së cilës e dalluam menjëherë nga larg sepse ishte akoma ditë, rreth orës 5 pasdite, na u vu ndjekje. Ishte anije ushtarake me ushtarë që qëndronin lart në bordin e saj. Më vonë morën vesh se ishin të batalionit San Marko. Sibila ishte një anije më e vogël se Zeffiro. Për rreth një orë e gjysëm na ka ndjekur pas e herë na vinte shumë afër e na krijonte dallgë të mëdha që na vinin në vështirësi e rrezik mbytje. Në orën 18.50 na vjen nga pas e na godet nga krahu verior e anija jonë përmbytet. Unë u gjenda rreth 150 metra larg në ujë nga goditja, të tjerë pak më afër.
Anija qëndroj rreth 8 minuta e batuar e anija italiane mund t’i kishte shpëtuar shqiptarë që po mbyteshin nën të. Në pjesën e poshtme e të mbuluar të anijes tonë qëndronin gra e fëmijë që nga goditja besoj se janë tmerruar. Unë me vëllanë time ndodheshin në pjesën e sipërme të anijes pas kapitenerisë, ndërsa bashkëshortja ime me vajzën 6 muajshe si dhe nusja e vëllait me tre fëmijët e vegjël ndodheshin në kabinat dimërore të mbuluara se bënte ftohtë shumë. Qe një ngjarje e paimagjinueshme e tmerrshme. Nuk prisnim që kjo anije kaq e fortë në krahasim me tonën të nga godiste, e ky shtet i madh si Italia të reagonte kështu ndaj nesh që ishim kaq të dëshpëruar për t’u larguar nga Shqipëria ku po zhvillohej një luftë civile e po kërkonim ndihmë. Atë masakër të asaj nate me njerëzit e mbytur në ujë nuk e heq dot kurrë nga mendja.
Nga familja ime mbijetuam vetëm unë e vëllai. Bashkëshortet tona e katër fëmijët e vegjël u mbytën. Pas gjysmë ore nga goditja anija ushtarake italiane u rikthye e na rikuperoi nga uji. Na ndanë në dy grupe e na mbajtën mbi dy orë në det që të mos na filmonin gazetarët që prisnin në breg. Në Brindizi kemi mbërritur rreth orës 22.00 të darkës. E kuptova se familja ime ishte e mbytur. Mendova se dhe vëllai im ishte mbytur, por me të u takova më vonë në Brindizi. Trupat e fëmijëve e grave të familjes time u nxorën nga uji, por të tjerë nuk u gjetën kurrë, mbijetuam vetëm 34 vetë.
Goditja e anijes luftarake italiane “Sibila” thotë se ishte e qëllimshme.
Krenar Xhavara: Pas 24 vitesh ende nuk ka drejtësi për viktimat shqiptare të kësaj tragjedie. Me anë të avokatëve tanë ngjarjen e kemi çuar në Gjykatën e Strazburgut e kemi kërkuar që shteti shqiptar të bëhet palë akuze bashkë me ne në këtë ngjarje por nuk kemi pasur asnjë denoncim nga shteti shqiptar ndaj Italisë. Shteti shqiptar nuk ka marrë në mbrojtje qytetarët e saj. Ne nuk do e ndalim kërkesën tonë për drejtësi e do ta çojmë çështjen në institucionet më të larta të drejtësisë ndërkombëtare. Apeli ynë është çdo vit që shteti shqiptar të na bashkohet e të na ndihmoj t’i japim drejtësi viktimave shqiptare të kësaj tragjedie.
Jeton për drejtësi! Në këtë betejë ligjore të nisur vite më parë kërkon edhe ndihmën e shtetit shqiptar.
Pas ngjarjes së rëndë Krenar Xhavara u rikthye në Shqipëri, pasi nuk mund të gjente qetësi në shtetin që e konsideron fajtor për humbjen e të shtrenjtëve të tij.
/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

