“KOMPLOTI” i Ben Blushit, radhë lexuesish në Panairin e Librit

Në Panairin e Librit në kryeqytet libri që po bën jehonë mbetet ai i Ben Blushit, “KOMPLOTI”.

Një libër mbresëlenës dhe me një stil brilant, ka sjellë qindra lexues në dyert e Panairit. Natyrisht ka edhe libra dhe autorë të tjerë në Panair, por Ben Blushi është lajmi i ditës.

Kur Agetina Pagjini niset në këmbë nga Lezha drejt Kavajës në shenjë proteste, i shoqi, Mohamed Durrani, e kupton se situata ka dalë jashtë kontrollit. Megjithatë është tepër vonë. Nga hoteli ku po qëndron, pasi ka mbyllur telefonin me kryeministrin Raul Fico, Simon Shuteri qesh fitimtar. Ai e di që me të vdekurit fiton gjithmonë.

Çfarë ndodh me Shqipërinë nëse shqiptarët ikin dhe emigrantë e refugjatë vijnë në vend duke marrë gradualisht pushtet ekonomik e politik? Më e pakta një komplot i nxitur nga Ministri i Mbrojtjes që është afgan i Shëngjinit. Komploti që përfshin pushtimin e Kosovës, shtetrrethimin e Kavajës dhe një bashkim të shqiptarëve me Rusinë, merr jetë me përfshirjen e nipit shqiptar të Trockit famëkeq të revolucionit bolshevik.

Ky do të ishte në pak fjalë libri më i ri i Ben Blushit, “Komploti” i vendosur në Shqipërinë e vitit 2044, mes Shëngjinit, Tiranës, Kavajës e Pogradecit.

Kryeministri Raul Fico, nipi i Rauf Ficos, ish Ministër i Jashtëm i vendit para luftës (një diplomat që kishte takuar Hitlerin) dhe një prej pikave kyçe të veprës do të duhet të menaxhojë, sa supremacinë e hebrenjve po aq edhe hovin e afganëve, në një tokë ku si gjithnjë, shqiptarët që i duan pushtuesit e tyre- janë pasivë e pësues në përplasje qytetërimesh a superfuqish. Tre hebrenj, nipi i Trockit, Leonidi, Lavi, nipi i sionistit Leo Elton që pat propozuar Shqipërinë si tokën ku duhej të vendosej shteti i Izraelit para se të vendosej në Palestinë dhe Simon Shuter një hebre i Shqipërisë, për arsye të ndryshme janë në qendër të komplotit që paralizon shtetin shqiptar. Shuter është mendja e komplotit, Elton financuesi ndërsa Trocki idealisti komunist- të tre, për shkak të përplasjes shqiptaro-afgane i japin një dorë të fortë konfliktit duke e orientuar Shqipërinë nga Rusia. Mbasi, siç vërehet në libër, amerikanët janë si Zoti, të nxjerrin në takim me djallin sa herë nuk duan të të thonë vetë çfarë të bësh.

A nuk na tradhtuan gjithnjë të krishterët, a nuk na morën Jezusin e Marksin, a nuk janë izraelitët për shkak të sionizmit fajtorë për komunizmin, nazizmin dhe luftërat – pyesin hebrenjtë e romanit duke parashtruar ngjarje historike që kanë tronditur botën.

Veçse, përtej debateve intelektuale dhe çështjeve që shqetësojnë shoqërinë moderne (ose jo aq moderne fatkeqësisht) romani “Komploti” i jep jetë edhe një historie dashurie mes një afgani, Durranit, e një shqiptareje katolike nga Shëngjini, Agetinës, që për hir të vjehrrës vendos të mbulohet me shami a hixhab duke shkaktuar valë debati dhe pothuaj pezullim të shkollave. Kjo histori dashurie do të jetë filli lidhës e përçarës, në një vepër letrare ku dallimet kulturore kërcasin edhe për hir të aspekteve të shoqërisë tradicionale shqiptare. Një luftë me Zotin vjen e trajtuar përmes ngjarjeve që vendosen në Pogradec në kohë Pashke duke përballur sërish Judën e Krishtin dhe duke e ndarë qytetin e Pogradecit si Jeruzalemin. Dhe është veçse Simon Shuteri në krye të saj, jo vetëm si ateist por dhe si hebre, pjesë e një populli në luftë me Zotin dhe Krishtërimin megjithëse i dha Krishtërimit, Zotin. Eutanazia, ende e padiskutuar në vendin tonë merr një peshë tjetër në libër, për shkak të metodave ‘ortodokse’ të Simon Shuterit që bën eksperimente shoqërore, po aq sa provokon një shtet që ka humbur shumë në histori dhe ku “provinca nuk është aspak interesante” siç vihet re në “Komplotin” e Ben Blushit (botimet “Pegi”) shkruan BW.

Islami e krishtërimi krah judenjve përballen bashkë me botët që përfaqësojnë në një vend hipotetik e prapë të sforcuar. Dashuria, lufta e kulturat, janë ngërthyer në roman për të dhënë një faqe të Shqipërisë së vitit 2044. Nëse do të duam ta mbajmë këtë faqe siç është, duke kthyer faqen tjetër, fundi është ky, por nëse duam ta ndryshojmë mbase duhet të reflektojmë mbi udhën që po ndjekim dhe drejtimin që po i japim vendit, edhe duke ikur edhe duke qëndruar. Sepse në fund të fundit, romani “Komploti” i Blushit ju kushtohet atyre që mund t’i pengojnë këto ngjarje të ndodhin.

Ndërkohë Ben Blushi është në Panairin e Librit, ku ka me qindra njerëz në radhë për të marrë një libër me autograf nga Ben Blushi.

SHKARKO APP