25 mijë euro vlejnë provat se kush e vrau ish-deputetin

2021 u mbyll me një bilanc të frikshëm të vrasjeve. Rendi dhe siguria u trondit si kurrë më parë, me 67 viktima, ku në mesin e tyre është edhe vrasja e bujshme e ish-deputetit Pashko Ujka në Shkodër.  Ngjarja ndodhi më 29 nëntor të 2021. Nga shteti dhe Policia ka një heshtje për këtë krim, ndaj dhe familja ka marrë në dorë hetimet.

Vajza e të ndjerit, Ledisia Ujka thotë se kanë vendosur shumën 25 mijë euro për informacionin që do të jepet se kush dhe pse u vra babai i saj. ”Ne kemi vendosur shumën si familje dhe ofrojmë 25 mijë euro për çdo person që ka fakte konkrete dhe prova për të gjetur vrasësin e babit tim. Këto lekë janë lekë që shkojnë për shpirt të tij, për gjakun e tij sepse ai ka punuar gjithë jetën dhe ne do bëjmë të pamundurën që të vendoset drejtësia për të”.

Ajo thotë se kanë vendosur numrin e tyre personal dhe jo të policisë për arsye se nuk kanë besim. Sipas saj, policia i ka thënë se “ngjarja në shtet është e zgjidhur”.

Pistat nuk do të fokusohen vetëm në Shqipëri, pasi Ledisia pohon se dosjen e vrasjes së babait do ta hapin edhe në Itali, për arsye se ish-deputeti ka patur nënshtetësi italiane. ”Ne kemi marrë të gjithë dosjen me provat për vrasjen e babit tim dhe e kemi dërguar për ta përkthyer dhe pastaj do të hapet si dosje dhe në Itali, në prokurorinë e Italisë”.

Në lidhje me këtë ngjarje, policia arrestoi dy të dyshuar, por më pas rezultoi se ditën kur ndodhi krimi ata ishin në Kosovë. Kjo pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër liroi nga burgu Kristjan Kelmendin dhe bashkëpunëtorin e dyshuar të tij Marjan Kola. Familja sapo e ka hapur këtë dosje, dhe mund të dalin në dritë fakte tronditëse.

SHKARKO APP