25 prilli/Policia parapërgatitet, ndahen detyrat e efektivëve të policisë

Efektivët e Policisë do të zbatojnë një plan masash të shtrirë në katër faza për zgjedhjet e 25 prillit. Drejtori i Rendit Publik, Ylli Vasili, sqaroi se “blutë” kanë kryer përgatitjet e nevojshme për këtë periudhë.

”Nga Drejtoria e Policisë dhe specifikisht nga Departamenti i Sigurisë Publike, që në muajin dhjetor të vitit 2020 është përgatitur një plan pune, ku janë përcaktuar të gjitha objektivat që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 25 prillit 2021.

Në fazën e parë kemi periudhën parazgjedhore, ku do të bëhet një parapërgatitje.

Në fazën e dytë është garantimi i rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore.

Në fazën e tretë do të jetë dita e votimit dhe numërimit të votave. Faza e katërt do të jetë garantimi i sigurisë dhe rendit gjatë kohës së shoqërimit dhe përmbylljes së fazës së votimit”,-tha për ”Ora News”.

Por si veprohen nga ana e policisë në rast se individë të ndryshëm kryejnë shkelje?

Nëse do të ketë ndonjëlloj incidenti në qendrat e votimit apo diçka tjetër ka të bëjë me shkelje të rregullave, policia do të ndërhyjë në qendrën e votimit apo në KZAZ , mbi bazën e një vendimi dhe thirrje të vendosur nga KQZ. Kjo bëhet me vendim të miratuar nga shumica e komisionerëve apo KZAZ në qendrën e votimit dhe ndërhyhet nga policia, merren masat dhe më pas procedohet, duke i kaluar prokurorisë.

Po ashtu Vasili foli edhe për Librin e Kujtesës së efektivëve me të cilin do të pajisen të gjithë punonjësit e policisë të aktivizuar me detyra në procesin zgjedhor.

”Ne kemi përgatitur të gjithë materialin përkatës dhe me ndihmën e OSBE kemi prodhuar librin e xhepit ku janë përcaktuar detyrat e punonjësve të policisë për zhvillimin sa më normal dhe sigurimin e rendit publik”.

SHKARKO APP