25 vite nga tragjedia e Otrantos, i mbijetuari kërkon ende drejtësi: Na goditën
Ishte 28 marsi i vitit 1997, kur 142 pasagjerë u nisën nga Vlora drejt detit të hapur. Sot mbushen 25 vite nga Tragjedia e Otrantos, ku anija shqiptare u përmbyt nga forcat detare italiane.
81 persona, shumica gra dhe fëmijë humbën jetën. Krenar Xhavarra, i cili është një prej të mbijetuarve që në atë tragjedi humbi të vëllain, bashkëshorten dhe fëmijën bën fajtor autoritet italiane për atë ngjarje ndërsa nuk resht së kërkuari drejtësi.
Ai ishte rreth 25 vjeç kur u nis drejt Italisë me vëllain, gruan dhe vajzën 6 muajshe në kërkim të një jete më të mirë matanë detit. Anija u përmbyt në Ngushticën e Otrantos nga forcat detare italiane.
”Anija italiane filloi me manovra të rrezikshme duke na u afruar me qëllim për të na përmbytur me dallgë. Më pas na goditën nga mbrapa me qëllim që anija të fundosej”. Nga familja e tij, Krenari ishte i vetmi që arriti të mbijetojë. Ai tregon se pavarësisht përpjekjeve, shpëtimi i familjes së tij ishte i pamundur. Për atë tragjedi ai fajëson autoritetet italiane.
Nga viktimat 23 trupa nuk u gjenden kurrë. Goditja e anijes shqiptare nga italianët u bë për të shmangur hyrjen ilegale të emigrantëve shqiptarë që largoheshin nga vendi pas kolapsit të skemave të piramidave.
KOHA JONË SONDAZH

