25-vjet nga themelimi i organizatës së parë joqeveritare

 

Më 16 Dhjetor u mbushen 25 vjet nga themelimi i Forumit për të Drejtat e Njeriut, organizatës së parë joqeveritare dhe jofitimprurëse në vend, që më pas u emërtua “Komiteti Shqiptar i Helsinkit” (KShH). Themelues ishin një grup intelektualësh të njohur të vendit, akademikë, gazetarë, regjisorë, diplomatë, etj., të cilët me kurajë guxuan të merrnin përsipër mbikëqyrjen, raportimin dhe marrjen në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, ndërkohë që vendi ende nuk ishte ndarë nga regjimi totalitar.  Nismëtarët e kësaj organizate meritojnë sot nderimin e gjithë shoqërisë shqiptare, sepse me këtë hap i dhanë fund konceptit  se liritë individuale burojnë e sigurohen prej lirive kolektive dhe që shteti vetë është garanti i tyre.

Ata promovuan, për herë të parë konceptin se, liria e një shoqërie përcaktohet jo nga pikëpamja e klasës, por nga liria e gjithsecilit. Me themelimin e kësaj organizate do të hidhej një hap historik evropianizues i mendimit qytetar, prandaj dhe u përshëndet, menjëherë, prej Agjencisë Franceze të Lajmeve dhe Radios “Zëri i Amerikës”(VOA). KShH u bë një monitorues i vëmendshëm i raporteve të njeriut me pushtetet e institucionet e tyre; monitorues i situatës së respektimit të lirive dhe të drejtave të shtetasve, veçanërisht të atyre që ndodheshin në institucionet e mbyllura, si burgje, paraburgime dhe komisariate të policisë; KShH kontribuoi për njohjen e  lirive dhe të drejtave nga shtetasit dhe i ktheu ato në çështje publike; ofroi ndihmë juridike për grupimet më të rrezikuara; shërbeu si oponencë e procesit të ligjbërës në vend; u shndërrua në një partner të efektshëm të organizatave të mirënjohura evropiane për mbikëqyrjen e proceseve zgjedhore, si dhe ofroi shumë kontribut gjatë rrugëtimit të vështirë drejt shtetit të së drejtës.

Në këto 25 vite komunikimi i KShH me  shtetasit, me organizatat e shoqërisë civile, me median e shkruar dhe elektronike ka qenë i vazhdueshëm dhe i efektshëm. Së bashku kanë luftuar për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e gjerë të shtetasve në çështjet me interes publik, si një veprimtari që zgjeron demokracinë në vend. Janë një sërë emrash që gjatë këtyre viteve dhanë kontribut për veprimtarinë e KShH, duke veçuar prej tyre, Prof. Arben Puto, Prof. Kristo Frashëri, Prof. Ylli Popa, Elsa Ballauri, Kujtim Çashku, Prof. Xhevair Spahiu, Prof. Shaban Sinani, Njazi Jaho, Dr. Zana Sota, Prof. Vasilika Hysi, Av. Flamur Çato, Av. Fatmir Braka, Prof. Aurela Anastasi, Florian Ballhysa,. Elvis Koçi, e shumë e shumë të tjerë.  

SHKARKO APP