Aleati i kryeministrit pro rus del fitues në zgjedhjet presidenciale në Sllovakisë

AP: Aleati i kryeministrit pro rus del fitues në zgjedhjet presidenciale në Sllovakisë

Një aleat i ngushtë i kryeministrit populist sllovak Robert Fico, fitoi në zgjedhjet e së shtunës përballë një diplomati pro perëndimor të karrierës, për t’u bërë president i ri i Sllovakisë, post në të cilin do ta pasojë zonjën Zuzana Çaputová, presidenten e parë të shtetit.

Kryetari i parlamentit Peter Pellegrini, mori 53,26 për qind të votave përballë ish ministrit të Jashtëm Ivan Korçok, i cili fitoi 46,73 për qind të votave.

“Mund të premtoj se do të jem president i të gjithë qytetarëve sllovakë”, tha Peter Pellegrini. “Mund të premtoj se do të jem gjithmonë në krah të Sllovakisë”.

Zoti Pellegrini bëhet presidenti i gjashtë sllovak që kur vendi fitoi pavarësinë pas ndarjes së Çekosllovakisë në vitin 1993.

Zonja Çaputová, një mbështetëse e vendosur e Ukrainës fqinje në luftën e saj kundër agresionit rus, nuk kërkoi një mandat të dytë për postin kryesisht ceremonial.

Presidenti i vendit me 5.4 milionë banorë emëron kryeministrin pas zgjedhjeve parlamentare, qeveria e re betohet para tij dhe emëron gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti gjithashtu mund t’u vërë veton ligjeve, megjithëse parlamenti mund ta anulojë veton me një shumicë të thjeshtë, dhe t’i kundërshtojë ato në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti ka po ashtu të drejtën e faljes së të dënuarve.

Qeveria, e udhëhequr nga kryeministri, mban pushtetin ekzekutiv.

Fitorja e zotit Pellegrini, do të çimentojë fuqinë e kryeministrit Fico, duke i dhënë atij dhe aleatëve të tij kontrollin mbi postet strategjike.

Partia e majtë Smer (Drejtimi) e kryeministrit Fico, fitoi zgjedhjet parlamentare të 30 shtatorit në një platformë pro-ruse dhe anti-amerikane.

Zoti Pellegrini, 48 vjeç, kryeson partinë e majtë Hlas (Zëri), e cila doli e treta në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, dhe favorizon një rol të fortë për shtetin. Partia e tij u përfshi në një koalicion qeverisës me partinë e majtë Smer (Drejtimi) të kryeministrit Fico dhe Partinë Kombëtare Sllovake ultranacionaliste.

Kritikët shqetësohen se Sllovakia nën kryeministrin Fico do të braktisë orientimin e saj properëndimor dhe do të ndjekë shembullin e Hungarisë se kryeministrit populist Viktor Orbán.

Qeveria e re ndaloi menjëherë çdo dërgesë të armëve në Ukrainë. Mijëra njerëz kanë protestuar gjithandej Sllovakisë kohët e fundit kundër politikave pro-ruse të kryeministrit Fico, përfshirë planet për të ndryshuar kodin penal dhe për të vënë nën kontroll median publike.

Ivan Korçok ishte kritik ndaj veprimeve të qeverisë për të cilat protestuesit kanë frikë se dëmtojnë sundimin e ligjit, ndërsa zoti Pellegrini mbështeti qeverinë e re dhe nuk i vuri në dyshim politikat e saj.

Përpara se të shërbente si ministër i Jashtëm në vitet 2020-2022, Ivan Korçok, 60 vjeç, shërbeu si ambasador në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermani. Ai ishte gjithashtu i dërguari i vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe është mbështetës i vendosur i këtyre dy organizatave.

Ai e pranoi humbjen dhe e përgëzoi fituesin, ndonëse u shpreh “i zhgënjyer” me rezultatin e zgjedhjeve.

Zoti Pellegrini, i cili ishte ish zëvendës i Ficos në partinë Smer, u bë kryeministër në vitin 2018, pasi zoti Fico u detyrua të jepte dorëheqjen pas protestave të mëdha antiqeveritare që pasuan vrasjen e gazetarit Ján Kuciak dhe të fejuarës së tij.

Zoti Pellegrini ishte ndarë përkohësisht nga zoti Fico, pasi partia Smer e goditur nga skandali, humbi zgjedhjet e vitit 2020.

Zëri i Amerikës, marrë nga Associated Press

SHKARKO APP