254 gjoba për maskat, shoqërohen në polici 5 ”rebelët”
Strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës për parandalimin e përhapjes së Covid-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia. Policia thotë se janë kapur 254 qytetarë që po lëviznin pa maskat mbrojtëse me masën administrative 3.000 lekë secili.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 5 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, Policia apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat anti-covid.