26 marsi ’90, Gazment Bardhi me demokratët në Kavajë: 11 vite keqqeverisje, koha të bashkohemi

Këtë të martë, demokratët përkujtuan në Kavajë demonstratën e parë anti-komuniste të 26 Marsit 1990. Nënkryetari i Rithemelimit, Gazment Bardhi bashkë me deputetët e tij zhvilluan takime në qytetin simbol të revoltës ndaj komunizmit.

“Unë nuk jam këtu të shpall fitoren e PD në 2025, sepse do isha i pasinqertë dhe i pavërtetë, por kam bindjen që me përgjegjësinë e duhur, me alternativën e duhur ne do të arrijmë fitoren. Po ju jap një shembull të kësaj qeverie, bën investitorë strategjikë të afërmit e ministrave”,-shkruan Bardhi.

Gjatë vizitës në Kavajë, Bardhi dhe deputetët e tij të shoqëruar nga kryebashkiaku Fisnik Qosja zhvilluan homazhe edhe në bustin e heroit Josif Bundo.

Postimi i plotë

Më 26 mars 1990, në Kavajë u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste në sheshet dhe rrugët e një qyteti që nuk i nënshtrohet kurrë padrejtësive. Nderim përjetë kujtimit dhe veprës së Josif Budos dhe të gjithë protagonistëve të asaj lëvizje çlirimtare për Shqipërinë!

Leksionin e asaj dite e kanë dhënë sa herë Shqipëria ka patur nevojë. Liria dhe guximi i bashkëqytetarëve të mi është shenjuar në histori si vlerë që do të trashëgohet brez pas brezi. Krenar për gurët e parë që ky qytet ka vendosur në monumentin e demokracisë 34 vjeçare të Shqipërisë.

Shqipëria po kalon momente të vështira dhe të ngjashme me atë për të cilën u ngritën të parët qytetarët e Kavajës. Është koha që qytetarët e ndershëm në gjithë Shqipërinë, të bëhen bashkë, të mospajtohen me padrejtësinë dhe keqqeverisjen 11 vjeçare të Edi Ramës dhe të sjellin ndryshimin njëlloj si 34 vjet më parë.

SHKARKO APP