27-vjeçari me 13 profile të rreme në rrjete sociale, vajza që ai përndiqte i la ”takim”

Në këtë kohë të tekonologjisë, rrjetet sociale zënë një pjesë të madhe të përditshmërisë, përpos se janë një vend pune. Një 27-vjeçar është vënë në prangat e Policisë së Shtetit për shkak se akuzohet për përndjekje dhe për falsifikim kompjuterik.

Sipas policisë i arrestuari është I.P, 27-vjeç, banues në Tiranë. Ky i fundit ka kanosur në mënyrë të vazhdueshme një shtetase në qytetin e Tiranës, me të cilën ka realizuar dhe një takim, duke u prezantuar me të dhëna të rreme.

Pas realizimit të operacionit u konstatua se ky shtetas kishte hapur 13 profile me të dhëna të rreme, nëpërmjet të cilave janë kryer dhe veprimet kriminale. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një telefon celular i markës iPhone.

Njoftimi i policisë

Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik. Finalizohet operacioni policor i koduar “TAKIMI”. Vihet në pranga një 27-vjeçar. Nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u realizua operacioni policor “TAKIMI”. Pas një hetimi disamujor, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota dhe të shpejta në lidhje me kallëzimin e marrë nga një shtetase, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Përndjekja”.

Pas kryerjes së hetimeve, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ekzekutuar urdhrin e ndalimit të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin I. P., 27 vjeç, banues në Tiranë. Për këtë shtetas është caktuar urdhri i ndalimit, pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Përndjekja”.

Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se ky shtetas kishte hapur një numër të madh profilesh të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme. Nëpërmjet mesazheve që dërgonte nga këto profile të rrjeteve sociale, ky shtetas ka kanosur në mënyrë të vazhdueshme një shtetase në qytetin e Tiranës, me të cilën ka realizuar dhe një takim, duke u prezantuar me të dhëna të rreme.

Pas realizimit të operacionit u konstatua se ky shtetas kishte hapur 13 profile me të dhëna të rreme, nëpërmjet të cilave janë kryer dhe veprimet kriminale. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një telefon celular i markës iPhone. Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal. Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Përndjekja”.

SHKARKO APP