28 mijë ushtarë në Shqipëri, ministri Peleshi: Stërvitja më e madhe në 30 vite

Stërvitja më e madhe ushtarake e 30 viteve të fundit në vendin tonë është gati të ngrejë siparin. Forcat tona të Armatosura, përveç pjesëmarrjes me rreth 1000 trupa, kanë përgatitur edhe infrastrukturën ndihmëse për pritjen e kolegëve të tyre nga vendet aleate.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi inspektoi në pjesën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” infrastrukturën e përkohshme për pritjen e trupave, duke respektuar edhe masat kundër përhapjes së Covid-19. Peleshi e konsideroi stërvitjen “Defender 21” si shumë të çmuar për rëndësinë strategjike të Shqipërisë dhe rolin që vendi ynë luan si vend anëtar i NATO-s.

“Bëhet fjalë për një ngjarje historike sepse është stërvitja më e madhe e ndodhur ndonjëherë në Shqipëri dhe rajon. Është një stërvitje e cila jep mesazhe të rëndësishme për rëndësinë strategjike të Shqipërisë dhe për rolin që vendi ynë ka dhe do të ketë në të ardhmen në të gjitha zhvillimet gjeopolitike duke patur në krah aleatë shumë të fortë. Partneri ynë më strategjik që, le të themi janë Komanda Evropiane e SHBA, është organizatore e kësaj stërvitjeje, natyrisht në kuadrin e NATO-s, me pjesëmarrje të madhe të trupave amerikane por edhe të vendeve të tjera pjesë e Aleancës. Ne jemi vend pritës dhe do të marrim pjesë me rreth 1000 efektivë aktivë. Unë sot kam ardhur me shefin e Shtabit të FA, gjeneralmajor Begaj, për të parë pikën hyrëse të trupave që do të ulen në pistën e Rinasit. Këtu janë facilitetet e nevojshme për të pritur edhe më pas sipas planit, vazhdon stërvitja. Do të kemi vizita shumë të rëndësishme në ditët në vazhdim nga NATO, nga Komanda Evropiane e SHBA, Komanda Supreme Operacionale e NATO-s që siç e thashë puntojnë tek rëndësia dhe mesazhet strategjike të kësaj stërvitje për vendin, rajonin por edhe për gjithë Evropën”,-tha ministri Peleshi.

“Defender Europe 21” është një stërvitje e organizuar nga Ushtria Amerikane në Evropë dhe Afrikë dhe parashikohet të marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere. Shqipëria do të jetë një nga 16 vendet që do të mirëpresin zhvillimin e kësaj stërvitjeje ushtarake, e cila ka për qëllim ndërveprimin e aleatëve dhe reagimin në raste krizash.

SHKARKO APP