28 ndryshime në Kodi Rrugor, telefoni të heq edhe patentën. Gjobë deri në 2 mln lekë
Çdo ditë në vendin tonë ndodhin aksidente rrugore dhe numri i viktimave dhe i të plagosurëve është i lartë, ndaj Kodi Rrugor do të ndryshojë. Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim ndryshimet, ku parashikohen shumëfishim gjobash për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Gjoba më e lartë shkon deri në 2 milionë lekë të vjetra dhe është parashikuar për ata persona që drejtojnë automjetet pa patentë. Do rëndohen gjobat për përdorimin e celularit në timon, ecjen në kundër tabelë dhe përdorimin e alkoolit. Për këtë shkelje të fundit, ka gjoba shumë më të larta gjatë orëve të natës.
E para fillon që tek ata drejtues mjetesh të cilët përdorin aparatin celular gjatë drejtimit të automjetit. Kjo gjobë parashikohet të rritet nga 500 deri në 1 mijë lekë që është në 5 mijë deri në 15 mijë lekë dhe në rast se përsëritet tri herë brenda vitit, masa administrative shoqërohet me pezullim të lejes së drejtimit me 3 muaj dhe zbritjen me 10 pikë nga patenta.
Lejet e drejtimi do të kenë në total 20 pikë dhe nëse i humbet të gjitha, atëherë je i detyruar të ribësh 1 javë trajtim për drejtimin e automjetit si edhe ritestimet përkatëse. Ndryshimet kryesore në ligj janë propozuar edhe në dy çështje që kanë rezultuar gjithmonë burim aksidenti: pija edhe shpejtësia rrugore.
Për tejkalimin e shpejtësisë gjobat janë rritur në mënyrë progresive, ku më e rënda është tejkalimi i shpejtësisë maksimale me 50 km/orë jashtë qendrave të banuara dhe më shumë se 40 km/orë në qendrat e banuara, gjoba e së cilës shkon nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë. Si pasojë kësaj shkeljeje, do të aplikohet masa administrative shtesë për pezullimin e lejes së drejtimit nga 3 deri në 6 muaj si edhe heqja e 6 pikëve. Këto masa dyfishohen nëse drejtuesi i automjetit ka më pak se 3 vite që ka marrë patentën.
Për sa i përket alkoolit, masa administrative më e rëndë është kur drejtuesi i mjetit është në gjendje të dehur dhe rezultati i testit është nga 0.8 deri në 1.5 gramë për litër. Kjo masë administrative shkon deri në 400 mijë lekë dhe është 50% më e lartë nëse konstatohet gjatë orarit 22:00 deri në 07:00. Në të tilla raste, drejtuesi i automjetet do të shoqërohet në ambientet e policisë ku do t’i bëhen edhe analizat e gjakut dhe për t’ia referuar më pas organit të Prokurorisë.