29-vite SHBA-Shqipëri, Biberaj: Fuqizimi i vazhdueshëm i këtyre marrëdhënieve, prioritet kombëtar!

Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-zëvendës Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj përkujton 29-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.

Teksa e cilëson si një ngjarje të shënuar, Biberaj përmes rrjeteve sociale shprehet se SHBA-të janë partneri kryesor strategjik i Shqipërisë, duke shtuar se fuqizimi i vazhdueshëm i këtyre marrëdhënieve, vijon të jetë prioritet kombëtar!

Mesazhi i plotë i Biberajt

Të dashur miq,

29 vite më parë, vetëm 3 muaj pas Lëvizjes Studentore të Dhjetorit dhe themelimit të Partisë Demokratike, u rivendosën marrëdhëniet diplomatike ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë.

Këtë ngjarje të shënuar na e kanë kujtuar Drejtori për Euro-Azinë i Radios “Zëri i Amerikës”, z. Elez Biberaj si dhe Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim, me statuset e tyre respektive në Facebook dhe Twitter.

Marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në u ndërprenë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, pas marrjes së pushtetit me dhunë në vitin 1944. Rivendosja e ketyre marrëdhënieve ishte një ndër prioritetet kryesore të politikës së jashme të PD-së, e shpallur kjo që në formimin e saj, në mitingun themelues më 12 Dhjetor 1990 në Qytetin Studenti.

SHBA ka qenë mbështetësi kryesor i reformave dhe zhvillimeve demokratike në Shqipëri gjatë këtyre 30 viteve për fuqizimin dhe konsolidimin e demokracisë, për shtetin e së drejtës, si dhe për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

SHBA dhe Presidenti Bush ishin mbështetësit kryesorë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009.

SHBA ishte faktori kryesor për çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare nga rreth 115 vende, pavarësi që u ratifikua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

SHBA ka qenë dhe mbetet partneri kryesor strategjik i Shqipërisë dhe fuqizimi i këtij partneriteti mbetet prioritet kombëtar!

SHKARKO APP