29-vjeçari i verbër: Kam pasion politikën, nuk përfshihem nga paragjykimet
Albani është 29-vjeç dhe ndonëse ka lindur i verbër, i është gëzuar jetës me gjithçka që i ka ofruar. Zgjodhi të studiojë për shkenca politike pasi e ka pasion politikën, por është e vështirë për shkak të paragjykimeve.
”Jam student në një universitet privat për Psikologji. E kam studim të dytë në fakt pasi unë kam studiuar për Shkenca Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale. Gjithashtu më pëlqejnë shumë dhe i ndjek zhvillimet politike dhe prandaj ndoqa degën Shkenca Politike. E kam me pasion por nuk mund të përfshihem pasi personat me aftësi të kufizuara politika i paragjykon dhe nuk i dëshiron në politikë”-tregoi Albani.
Nga pamundësia për të lëvizur vetëm, Albanit i është bërë babai shoqëruesi më i mirë. Ai tregon vështirësitë që përballet çdo ditë. ”Gjatë gjithë ditës mua më ndihmon babai dhe më ndihmon kudo që unë shkoj. Infrastruktura këtu është mjaft e dobët sidomos për ne dhe për personar paraplegjik pasi nuk janë në të gjitha rrugët ato shiritat, vetëm në dy-tre vise të caktuara janë, edhe në ato e ke të pamunudr të lëvizësh pa shoqërues. Mua shoqëruesi më duhet medoemos”,-thotë 29 vjeçari për ”Report Tv”.
Paçka se është i shkolluar dhe me aftësi shumë të mira kompjuterike, Albani nuk gjen dot një punë. Sot në Ditën Ndërkombëtare të Personave me aftësi të kufizuar, ai ka edhe një mesazh. ”Duhet ti mbështesni personat me aftësi të kufizuara, mos i paragjykoni pasi mund të bëjnë shumë punë si jurist,psikolog, mund të punojnë në punë kompjuterike pasi personat me aftësi të kufizuara janë shumë të aftë në teknologji, punojnë në zyra, call center etj”.