29-vjeçari në Tiranë me pasuri që shkon në 1 mln euro. Prokuroria kërkon sekuestrimin e 14 pasurive

Prokuroria e Tiranës kërkon sekuestrimin e 14 pasurive të 29 vjeçarit Ervis Hysa, pasi dyshohet se i ka krijuar nga veprimtari kriminale. Vlera e të cilave arrin rreth 1 milion euro, dhe janë konkretisht: 9 garazhe në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, 1 ndërtesë në Paskuqan, 1 apartament në Yzberisht dhe 2 automjete.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkon sekuestrimin e pasurive të shtetasit E.H., bazuar në ligjin “Për Parandalimin dhe goditjen e Krimit të Organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar.

Shtetasi E.H., është arrestuar nga Drejtoria vendore e Policisë Tiranë, pasi Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj per veprën penale “Shtrëngim me anë të dhunës për dhënie pasurie”, parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal.

Referuar pozitës kriminale në ngarkim të shtetasit E.H., paraprakisht janë identifikuar pasuritë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike, si dhe dyshohet se lidhen e rrjedhin nga veprimtaria kriminale”, njofton Prokuroria.

SHKARKO APP