3 kopshte e 13 shkolla të dëmtuara në Krujë, rindërtimi në muajt maj-qershor

Pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, puna në terren është e vështirë. Zona e Krujës është më e prekura. Tre kopshte, 10 shkolla 9 vjeçare, dy shkolla të bashkuara dhe një gjimnaz kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit në rrethin e Krujës. Edhe pse kanë kaluar 2 muaj nga tërmeti ende nuk është marrë një vendim se si do të veprohet me këto objekte, nëse do të shemben dhe do ndërtohen të reja apo do të riparohen, pasi shkalla e dëmtimit është e ndryshme. Mësimi në këtë zonë vijon me dy turne në godinat e shkollave të cilat nuk u prekën nga tërmeti. Dy nga 13 shkollat janë shembur totalisht, si ajo e Bubqit dhe e Thumanës.

Drini Masha, shefi i zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Bashkinë e Krujës, në një prononcim për mediat thotë se pasi të përfundojnë faza e vlerësimit të thelluar pritet që rindërtimi i shkollave të nisë në muajt maj-qershor të këtij viti, në mënyrë që viti i ardhshëm shkollor të vijojë normalisht. “Sigurisht që kjo është një gjendje emergjente dhe do kohë, këtë vit mësimi do vijojë me dy turne dhe shpresoj që rindërtimi të nisë në muajt maj dhe qershor në mënyrë që viti i ardhshëm shkollor të vijojë normalisht”.

Më e prekura nga tërmeti është zona e Bilait ku të gjitha shkollat janë mbyllur për shkak të dëmtimeve, madje shkolla e mesme e bashkuar Bubq u shemb nga ana e INUK pasi ishte shpallur objekt i pabanueshëm. Transporti i nxënësve kryhet me furgona ose autobusë nga venbanimi i tyre në shkollat më të afërta dhe subvencionohet nga bashkia e Krujës e cila i kalon prindërve një shumë prej 1600 lekësh çdo muaj.

“Për shkollat dhe vlerësimi është më i kujdesshëm, për arsye sigurinë është vendosur të mos zhvillohet procesi mësimor në këto shkolla që kanë dëme të ndryshme. Për nxënësit është bërë transporti për në shkollën më të afërt për të cilën i është mbuluar edhe transporti”. Krahas 13 shkollave në rrethin e Krujës u dëmtuan dhe 4500 banesa nga tërmeti.

Pas takimeve këshilluese me prokurorë dhe inxhinierë italianë, ekspertë në analizimin e cilësisë së godinave pas tërmeteve, Prokuroria e Durrësit do të riinspektojë 244 objekte të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Këto godina e kanë kaluar kontrollin e parë nga ekspertët por organi i akuzës së qytetit bregdetar, ka ngritur dyshime për pasaktësi në konstatimet e grupeve të ekspertëve. Vendimi është marrë pas konsultimeve me prokurorët italianë të cilët ndodhen në vendin tonë për të këshilluar hetuesit, ndërsa kanë hetuar një situatë të ngjashme në Aqulia të Italisë. Inspektimet kanë nisur në terren pasi në shumicën e përgjigjeve të ardhura, rezulton se cilësia e materialeve të ndërtimit, hekur, beton, çimentor, është jashtë standardit., kryesisht pallate, banesa private apo biznese.

SHKARKO APP