3 vëllezërit kanë nevojë urgjente për ndihmë: Po shkojmë drejt verbimit, nuk shohim në diell

“Kur jam në diell nuk shoh dot, vetëm kur jam në errësirë shoh më mirë. Jam mësuar me errësirën, nuk jam mësuar me dritën.”

Kështu e nis rrëfimin, Albani. Është vetëm 7 vjeç, por rrezikon të mbetet i verbër. Njëjtë si dy vëllezërit e tjerë. Janë të prekur nga një sëmundje e syve e trashëgueshme, e cila është duke i rrezikuar shëndetin.

Edhe Ornela, nëna e tyre, ashtu si babai i saj ka lindur me këtë sëmundje. Prej 35 vitesh ajo është duke luftuar me errësirën, që sa vjen edhe I rëndohet. Prej panjohjes dhe pamundësisë ekonomike, ajo asnjëherë nuk bëri një kontroll për të kuptuar nga se vuante. Deri kur u bë nënë, për herë të parë me Arshinin. Por, edhe me atë I nisën kontrollet mjekësore shumë vonë.

“Në fillim unë nuk e kuptoja se çfarë kisha, por kur nisën edhe më shumë mësimet, ndjeja që sytë më dhimbnin shumë. Më dhimbte koka, ose kisha kriza të fuqishme e dhimbje të padurueshme. Pastaj kuptova që çdo ditë e më tepër po më turbullohej e më shumë shikimi.”

Pavarësisht sëmundjes, Arshini është një nga nxënësit më të mirë të klasës. Sepse ëndrrat e tij janë shumë të mëdha.

“Tani jam në klasë të shtatë dhe detyrat nuk është se janë pak. Më lodhen sytë sa herë që bëj detyrat, kur shkruaj, kur lexoj. Unë dua të bëj diçka në jetë, nuk dua të jem si ata bashkëmoshatarë të mi që thonë se nuk të duhet shkolla. Por, unë kam frikë se nuk do mundem ta vazhdoj shkollimin. Pasi shikimi sa vjen edhe më dobësohet, e ndoshta shkoj edhe drejt verbimit.”

Me anë të borxheve te të afërm dhe një kredie, disa muaj më parë Ornela arriti të bëj operacion Albanin, I cili kishte edhe shikimin më të dobët. Por, përsëri gjendja e tij, vazhdon të jetë e rënduar.

Ndërsa Amarildo, ende nuk ka mbushur 3 vjeç, por ka nisur të japë shenjat e para. Edhe pse sipas mjekëve është ende në kohë, për të mos humbur shikimin si vëllezërit e tij, pamundësia ekonomike ia vështirson shumë kryerjen e trajtimit mjekësor.

Mbijetojnë veç me pak të holla nga pensioni i gjyshes, pasi i ati shkoi në Greqi për të punuar, por atje pësoi një incident dhe ndodhet në spital.

Për familjen Senkollari fati është treguar veç mizor, por ne mund t’i ndihmojmë këta 3 fëmijë të kenë një të ardhme të mirë. T’i shpëtojmë sot dritën e syve, para se të jetë shumë vonë.

YouTube player

 

SHKARKO APP