3 vite në burg, rrëfimi tronditës i 24-vjeçares pranë Ramës: Shisja…
E penduar për veprimin që ka bërë, një 24-vjeçare e burgosur në burgun e grave në kryeqytet, ka folur para kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Redona e arrestuar për trafik të lëndëve narkotike, thotë se është penduar për veprimin e bërë për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe moshës së vogël. “Jam Redona, 24-vjeç. Jam arrestuar para tre vitesh e gjysmë pasi supozohet se po trafikoja lëndë narkotike. Jam penduar për veprën që kam bërë. Më detyroi mosha të bëja atë lloj gabimi. Gratë këtu nuk duhen paragjykuar, pasi këtu janë sjellë nga ndonjë moment nxitimi ose për shkak të faktorëve ekonomikë dhe vështirësive që kanë pasur”.
Në javët e para të muajt janar, deputetët do të votojnë draftin për aministinë. Për gratë, qeveria ka menduar që të lirojë nga qelia 28 prej tyre dhe ulë dënimin me 1/3 për pjesën tjetër. Kryeministri Edi Rama gjatë një vizite në burgun e grave, tha se do të krijohen lehtësi për gratë që do vijojnë të vuajnë pjesën tjetër të dënimit, ndërkohë që premtoi se ato që do lënë qelinë do të përkrahen nga shtetit për të gjetur një punë. Kryesocialisti u shpreh se Reforma në Drejtësi po jep rezultate konkrete dhe se në të ardhmen do të kemi një sistem që nuk dënon njerëzit e dobët e të varfër por fajtorët e vërtetë. Nga ana tjetër, Rama deklaroi se do të shesë një pikturë të tij, dhe me ato para do të blejë një prej pikturave që i ra në sy gjatë vizitës në Burgun e grave në kryeqytet.
“Pashë një pikturë, dhe në momentin që do më shitet një pikturë e imja do blej atë pikturën aty. Jo për bamirësi por nëse ajo do stampohej, do duhet një sy specialisti për të kuptuar se nuk është kryevepër e fillimit të shekullit 20. Mbase këto vepra që janë aty në mur të shohin dritën jashtë atyre mureve, të krijojmë një ekonomi të vogël të institucionit që nuk është e vogël për secilën individualisht”. Më tej, kryeministri doli në mbrojtje të grave në rastet ku në seancat gjyqësore mes burrave dhe grave, gjyqtarët në shumicën e vendimeve përkrahin gjininë mashkullore. Për ta kishte një paralajmërim, reformën në drejtësi. Edi Ramës, jo si kryeministër, por si piktor në ambjentet e burgut i la mbresa një nga pikturat e të burgosurve dhe premtoi se në vizitën tjetër do ta blejë.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se do qëndrojë pranë grave që do të lirohen por edhe atyre që do vijojnë të mbeten në burg. “Për ne është një ditë e veçantë. Kemi ardhur të ndajmë lajmin që ka të bëjë me amnistinë. Unë e di sa herë kam parë lotët tuaja duke kërkuar amnistinë. Unë e di sa e vështirë është për ju për faktin se keni fëmijët dhe të dashurit tuaj larg. Edhe unë, edhe stafi i drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, jemi munduar të heqim trishtimin. Unë jam munduar që veprat tuaja t’i promovoj tek të gjitha gratë. Do të ndjek secilën nga ju që do të dalë nga burgu dhe përfitojë nga amnistia jo vetëm për të dalë nga burgu por edhe për të gjetur një punë, për të nisur një jetë të re. Ashtu si kemi qëndruar pranë jush, do vazhdoj të jem edhe për ato gra që do mbeten në institucion”.
KOHA JONË SONDAZH

