3 vite nga vr*sja e Klodian Rashës, enigmë se kush e hodhi pistoletën tek i riu
Ishte 2020 dhe Dita Kombëtare e Rinisë, kur Klodian Rasha u vra, dhe familjarët ende nuk kanë marrë një përgjigje lidhur me pistoletën e gjetur në afërsi të ish-Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
25-vjeçari u qëllua për vdekje në 8 dhjetorin e vitit 2020 nga efektivi Nevaldo Hajdaraj, ndërsa historia edhe pse u hetua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore që tha se pistoleta e gjetur nuk ishte e të ndjerit, sërish pronësia e saj nuk u zbulua kurrë.
Pak javë më parë Prokuroria i vuri kapak historisë së Lear Kurtit, të riut që humbi jetën në rrethana të dyshimta, mbrëmjen e 19 tetorit të vitit 2022 në Tiranë. Si në rastin e Kurtit edhe në rastin e të ndjerit Rasha nisën të qarkullojnë versione si shembulli i pistoletës apo dhe e shkuara e tyre, teksa policia i etiketoi me precedentë penalë.
Në çdo rrethanë këto janë dy ngjarje tipike me rol të dyshimtë të efektivëve të policisë që presin përgjigje nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, si me zbardhjen e videove të plota të vdekjes së Lear Kurtit, apo me zbulimin se kush e hodhi pistoletën te vrasja e Klodian Rashës, 8 dhjetorin e 2020.