3 vite punë me detyrim për mjekët e rinj, qeveria reflekton ndryshimet në projektligj për studentët e mjekësisë

Pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa nene të projektligjit që detyronte studentët e mjekësisë që për 5 vite pas diplomimit të mos largohen për të punuar jashtë vendit, qeveria ka reflektuar disa ndryshime në projektligj. Pas argumentit të Gjykatës Kushtetuese që afati 5 vjetor është jo-proporcional, qeveria propozuar që ky afat për studentët e mjekësisë të ulet në 3 vite.

Ligji parashikonte 5 vite punësim të detyruar për studentët e mjekësisë të vitit të parë, që tashmë me rishikimin ulet në 3 vite, ndërsa për studentët e vitit të dytë deri në vitin e katërt detyrimi për të dhënë kontributin ulet nga 3 vite në 2 vite, ndërsa ata që ishin në vitin e pestë dhe të gjashtë të studimit parashikohej detyrimi 2 vit, kufizim i cili minimizohet në 1 vit.

“Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 (tre) muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 (nëntë) muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 (nëntë) mujore në institucionet shëndetësore publike”,-thuhet ndër të tjera në projektligj.

SHKARKO APP