3-vjeçari shkoi për pastrim gurëzash, humb jetën tragjikisht. Gjyshi: Duam drejtësi. Daja: E nxorrën në gjendje kome
Brian Spahiu veç 3-vjeç, humbi jetën tragjikisht pasi mori shërbim dentar në klinikën dentare “Splendent” në Rrugën e Kavajës, e cila ndodhet brenda Spitalit të Zemrës, gjithashtu privat. Familjarët kishin dërguar fëmijën tek klinika private për të bërë trajtim të dhëmbëve dhe pastrim nga gurëzat, për shkak të dhimbjeve në muajt e fundit. Pasi iu bë grafi, prindërve iu tha se duhej proceduar në 14 dhëmbë.
Mjekja dentiste që u mor me dhëmbët e vogëlushit, është Ina Xhaxho, vajza e mjekut Roland Xhaxhos i cili ka injektuar narkozën. Për shkak të numrit të lartë të dhëmbëve është vendosur të ndërhyhet me narkozë.
Familjarët tregojnë më tej se e kishin nxjerrë të voglin nga salla në gjëndje të rënduar. Edhe në shtëpi Briani nuk është zgjuar dhe kanë telefonuar klinikën, por nuk u kanë hapur telefonin. “Djalin e morëm në gjendje të rënduar, vetëm njëherë i hapi sytë, infermierët na thanë që është më se normale që të ishte në këtë gjendje për shkak të narkozës. Ne nuk marrim vesh dhe iu besuam. E sollëm djalin në shtëpi dhe na dhanë një ilaç, na thanë që mund të kishte pak temperaturë”,-tregoi daja i vogëlushit.
Sipas deklaratës së gjyshit, pasi i bënë një anestezi totale, djali qëndroi 9 orë në operacion. ”E çuam te Pediatria ku direkt e futen në intubim dhe i çanë mëlçinë sepse i kishte dalë jashtë funksionit. Pas 3 ditësh vdiq”, shprehet gjyshi i 3-vjeçarit.