30 Qershori shkon në Komisionin e Venecias, Kaso: Shpresojmë që të jetë larg presionit politik

Në mbledhjen e djeshme, e cila zgjati mbi 9 orë, Gjykata Kushtetuese vendosi që 30 Qershori të shkojë në Komisionin e Venecias. Përfaqësuesi juridik i PD-së, Ivi Kaso thekson se procesi i votimit në 30 qershor 2019 u mbajt pa një datë ligjore dhe shpreson që Komisioni i Venecias do të jetë larg presionit politik dhe në interes të shqiptarëve. Pas kësaj, ai nënvizon se fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Kushtetuese e cila do të zbërthejë opinionin e Venecias.

“Ka pasur pritshmëri të madhe nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet e 2019-s që lanë pas një zhgënjim të madh te njerëzit, pasi mungonte gara në këto zgjedhje dhe pritshmëria ka qenë e lartë për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk jemi palë në proces, u lejuam ta ndiqnim nga afër, por ishim kuriozë si do të trajtoheshin argumentat mbi rikthimin në kushtetutshmëri.

Ka pasur seancë maratonë; argumentet kanë qenë shterues, për shpalljen jokushtetuese të zgjedhjeve. Data e zgjedhjeve me dekret të presidentit është anuluar dhe sot kemi ende një dekret të presidentit që janë shfuqizuar. Është mbajtur një proces votimi pa një datë ligjore. Tregon që është tentuar që të shtohet presion mbi Gjykatën Kushtetuese dhe shpresojmë që Komisioni i Venecias të jetë larg presionit politik dhe për interes të shqiptarëve të shprehet sa më shpejt.

Komisioni i Venecias duhet falënderuar se është marrë me Shqipërinë e problemet e saj kur mungonte Gjykata Kushtetuese, jo vetëm për shpejtësinë, por edhe cilësinë që përgatit, shpresoj që dokumenti i Venecias të jetë pa ekuivok. Unë besoj që do të ketë peshë dhe nuk do ngelet në vullnetin e institucioneve dhe do të jetë Gjykata Kushtetuese që me përgjegjësinë do ta zbërthejë në vendim përfundimtar që do thotë fjalën e fundit për kushtetutshmërinë e zgjedhjeve në 2019”, -tha në ”A2cnn”.

Rrëzimet e ankimimeve për zgjedhjet e 25 prillit në KAS dhe Kolegjin Zgjedhor për Ivi Kason ishin të pritshme, pasi sipas tij mazhoranca ka treguar që ka përdorur çdo mjet për mandatin e tretë. Sa i takon raportit të Asamblesë së KiE, Kaso shton se opozita nuk synon që të keqen për Shqipërinë ta kthejë në favor politik, por thekson se interesi i saj janë zgjedhjet me standarde ku përmend edhe disa hapa përmirësues si implementimi i teknologjisë.

SHKARKO APP