30-vjeçari po transportonte ilaçe kontrabandë, ndalohet kamioni në Kakavijë
Një rast kontrabande është goditur nga Policia e Shtetit në Kakavijë, aty ku një 30-vjeçar është kapur me ilaçe që nuk i kishte deklaruar. “Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me shërbimet doganore dhe shërbimet e Frontex-it, gjetën të fshehura në kabinën e kamionit 4 qese, brenda të cilave kishte medikamente mjekësore (ilaçe) me vlerë totale 2 200 euro, të pa shoqëruara me dokumentacionin përkatës”.
Njoftimi i plotë
Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë përzgjedhur për kontroll të detajuar një mjet kamion që drejtohej nga shtetasi Dorian Koco.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me shërbimet doganore dhe shërbimet e Frontex-it, gjetën të fshehura në kabinën e kamionit 4 qese, brenda të cilave kishte medikamente mjekësore (ilaçe) me vlerë totale 2 200 euro, të pa shoqëruara me dokumentacionin përkatës.
Pas veprimeve të kryera hetimore, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin D. K, 30 vjeç, banues në Fier.
Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuar”.