300 mijë legalizime, Rama: Mbi 1.5 miliardë euro investime të huaja, pritëm 12 milionë turistë me pasaportë të huaj
Partia Socialiste vijoi këtë të enjte me procesin e riorganizimit të strukturave në kryeqytet ku këtë herë u ndal te njësia nr. 14. Kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama, i shoqeruar kudo në takime nga Ogerta Manastirliu, tha se gjatë kohës që PS ka qenë në qeverisje, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në disa fusha. Sipas kryeministrit, turizmi dhe investimet e huaja janë shumëfishuar gjatë këtyre viteve. Rama foli edhe për procesin e legalizimeve, ku tha puna vijon dhe nuk ka ngecur, dhe se qeveria po punon për dixhitalizimin e të gjitha hartave kadastrale, proces që sipas tij deri më tani ka çuar në skanimin e 54 milionë fletëve.
”Janë bërë shumë legalizime, janë bërë rreth 300 mijë. Një pjesë e tyre janë të pamundura me ligjin aktual, jo është mbi kolektror, jo është mbi rrugë. Por gjithësesi një pjesë tjetër duhen bërë sepse mund të bëhen. Ajo që mua më shqetëson është pse dikush që e ka bërë kërkesën që në 2010 duhet të presë akoma, ndërkohë që dikush që e ka bërë kërkesën në 2018, ta marrë më para. S’mund ta fillosh ta mbarosh bllokun, sepse pastaj i bie që ai tjetri pastaj te blloku tjetër, që po pret që në 2010, të vazhdojë të presë akoma, ndërkohë që këtu te ky blloku, ai që e ka bërë kërkesën në 2018 ta marrë legalizimin më parë.
Prandaj ajo që kemi kërkuar dhe do bëhet tani, është se do bëhet një sistem tani me kritere të qarta, me vite dhe njerëzve do u thuhet prit se jemi në vitin X. Kjo do krijojë më shumë qartësi për njerëzit. Gjithësesi puna vazhdon dhe legalizime bëhen përvit. Ne po dixhitalizuar të gjitha hartat, sepse kadastra e ka informacionin nëpër harta dhe deri më tani janë skanuar 54 milionë fletë. Kështu që llogariteni vet sa punë e madhe është bërë”, tha Rama.
Rama u ndal edhe te rritja e numrit të turistëve dhe të investimeve të huaja direkte të cilat kanë sjell zhvillim ekonomik. ”Krijimi i respektit në arenën ndërkombëtare nuk është çështje thjesht si vishesh apo si flet, por është edhe çështje se kë përfaqëson dhe çfarë përfaqëson. Unë besoj se ndryshimi i pozicionit tonë në arenën ndërkombëtare ka ardhur si rezultat i faktit se kemi pasur edhe çfarë të tregojmë, jo thjesht se kemi ditur si ta tregojmë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se kemi pasur mundësinë të tregojmë një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri tjetër. ”Kur kemi filluar këtë punë Shqipëria ishte mbi 2 milionë turistë dhe turistë numëroheshin edhe ata që ktheheshin nga udhëtime jashtë shtetit. Numëroheshin të gjithë ata që hynin në Shqipëri pavarësisht se kishin pasaportë shqiptare apo të huaj”, tha Rama. Ai theksoi se tani kemi arritur në 12 milionë turistë me pasaportë të huaj. Sipas tij mesatarja e investimeve të huaja më parë ishte ishte 300-400 milionë euro ndërsa tani kemi kaluar 1.5 miliard euro. “Të gjitha këto janë para që vijnë në ekonomi”, shtoi Rama.
KOHA JONË SONDAZH

