300 milionë të infektuar me COVID në gjithë botën
Numri i infeksioneve globale me COVID ka kaluar shifrën 300 milionë. U desh më shumë se një vit për të arritur shifrën 100 milionë dhe vetëm pesë muaj për 100 milionëshin e fundit të të infektuarve, ndërsa bota përballet me variantin shumë ngjitës Omicron.
Profesionistët e shëndetësisë dhe pacientët e Londrës janë goditur rëndë nga varianti Omicron, duke bërë që qeveria të dërgojë 200 pjesëtarë të ushtrisë, përfshirë 40 mjekë, në spitalet e qytetit.
Kritikët e Shërbimit Shëndetësor të vendit thonë se përhapja masive e Omicronit po ekspozon të metat e sistemit mjekësor të vendit.
Guvernatori i Virxhinias Perëndimore në Shtetet e Bashkuara tha të enjten se për shkak të variantit Omicron ai po kërkon autorizim nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve për të ofruar një dozë të katërt të vaksinës COVID për banorët 50 vjeç e lart në shtetin e tij.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se një variant i ri i koronavirusit i zbuluar së fundmi në Francë nuk përbën arsye për shqetësim aktualisht.
Shkencëtarët e një fondacioni mjekësor në Marsejë thonë se e zbuluan variantin e ri në dhjetor tek 12 pacientë që banojnë pranë këtij qyteti. Pacienti i parë rezultoi pozitiv pasi udhëtoi në Kamerun të Afrikës.
Studiuesit thanë se kanë identifikuar 46 mutacione në variantin e ri, të cilat mund ta bëjnë atë më rezistent ndaj vaksinave dhe më ngjitës se koronavirusi origjinal.