300 shtëpi të bastisura në Kavajë! Emigrantët dalin në protestë kundër Policisë: I gjetëm bosh
I lanë shtëpitë për të jetuar më mirë në vende të Europës, por banorët e fshatit Synej në Kavajë, kanë protestuar këtë të enjte kundër Policisë së Shtetit. Shumica prej tyre janë emigrantë që jetojnë jashtë vendit, dhe tashmë që janë kthyer për pushime kanë gjetur shtëpitë e bastisura.
“Këtu është bo nami. Këtu janë vjedh shpiat të gjitha, janë shkatërruar njerëzit po flenë njerëzit me stres. Kam dy javë që kam ardhur nuk kam pa asnjë polici natën”, thotë një emigrant.
“Dy herë më kanë hyrë në shtëpi natën që isha jashtë. Kam ardhur tani në oborr të shtëpisë para, prap tentuan me u fut Brenda. Tani ky shtet po më detyron të marr kallashin e ta zgjidh vetë këtë punë. Po më detyron të bëhem vrasës se nuk ka hall këtu që zgjidhet”, thotë një banor tjetër.
Të revoltuar emigrantët shprehen se banesat janë vjedhur masivisht gjatë muajve të fundit. Sipas protestuesve, janë afro 300 shtëpi të vjedhura gjatë muajve të fundit, ndërsa policia e Kavajës tha se gjatë 8 muajve të këtij viti janë regjistruar 20 vjedhje në këtë fshat, nga të cilat 11 raste janë zbardhur.