31 marsi, afati i fundit për dorëzimin e deklaratave tatimore vjetore
Administrata Tatimore rikujton tatimpaguesit për dorëzimin në kohë të deklaratave tatimore vjetore për vitin 2025, duke theksuar se afati përfundimtar është 31 marsi.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve inkurajon tatimpaguesit të dorëzojnë deklaratat përpara këtij afati për të shmangur vonesa dhe vështirësi që mund të lindin për shkak të fluksit të madh në sistem gjatë ditëve të fundit të deklarimit.
Ky vit shënon një ndryshim të rëndësishëm pasi për herë të parë afati i dorëzimit është unifikuar për të gjitha deklaratat vjetore, duke përfshirë deklaratën e të ardhurave nga biznesi për personat fizikë, deklaratën e të ardhurave të korporatave për personat juridikë dhe deklaratën e të ardhurave personale për individët.
Deri më sot, 79,925 tatimpagues kanë dorëzuar deklaratën për të ardhurat personale nga biznesi, 15,306 tatimpagues kanë dorëzuar deklaratën mbi të ardhurat e korporatave dhe rreth 89,199 individë kanë dorëzuar deklaratën e të ardhurave vjetore personale.
Administrata Tatimore nënvizon rëndësinë e dorëzimit të hershëm për të shmangur mbingarkesën e sistemit, për të evituar penalitetet për mosdeklarim ose deklarim të vonuar dhe për të siguruar përmbushjen e detyrimeve ligjore sipas legjislacionit tatimor në fuqi.
Tatimpaguesit mund të kontaktojnë Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 0002 për çdo informacion ose asistencë.

KOHA JONË SONDAZH

