31 mijë maturantë rikthehen në shkollë por që në ditën e parë ka probleme

Pas një mungese të gjatë, 31 mijë maturantët pas 70 ditësh të mbylljes së institucioneve arsimore për shkak të Covid-19, të hënën u rikthyen në shkollë. Dyert e 500 gjimnazeve dhe shkollave në të gjithë Shqipëri, do të qëndrojnë të hapura nga 18 maji deri në 5 qershor. Maturantët do të rikthehen në bankat e shkollës për të përsëritur njohuritë për 4 lëndët që janë provime të maturës shtetërore.

Rreth 1500 maturantë, kanë zgjedhur të punojnë individualisht dhe të vijojnë me mësimin online. Numri i reduktuar i nxënësve në klasë, i ka shqetësuar ata për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi pasi nuk ka mësues mjaftueshëm. Drejtoritë e shkollave u kanë kërkuar edhe mësuesve të viteve të para dhe të dyta, të cilët nuk u kanë dhënë më parë mësim maturantëve, që të kthehen në shkollë pasi duhet plotësuar numri i tyre në klasa.

Problematika thellohet kur sipas orarit mësimor, stafit pedagogjik do të mësojë nxënësit për lëndët që ata nuk janë specializuar e punësuar. Të gjendur në këtë situatë, maturantët kanë shprehur ankesa. Ata vënë në dijeni mësuesit se po shkojnë në shkollë për ta mësuar ato që nuk dinë dhe si mund ta bëjë këtë një mësues që s’është i asaj fushe.

Tiranë

Në gjimnazin “Qemal Stafa” maturantët i janë rikthyer bankave të shkollës por me rregulla strikte. Ajo që ra në sy është fakti që 7 prej tyre nuk janë lejuar të futen në shkollë, pasi nga kontrolli mjekësor rezultoi se e kishin temperaturën mbi 37.5. “E kisha temperaturën 37.5. Më thanë që të kontaktoj me mjekun e familjes”, tha një prej maturantëve. Ata thonë se ndihen pak të stresuar, por për ta është mirë që u rikthyen në shkollë. “Pak me stres, por është mirë që u kthyen në shkollë. Do të përmirësohemi akoma më mirë”, tha një studente. Në këtë shkollë janë 352 maturantët, të cilët janë ndarë në 25 klasa me nga 12 ose 13 nxënës.

Berat

Në Berat ndryshe nga qytetet e tjera, orët mësimore për maturantët do të zhvillohen të plota. Nxënësit janë pajisur me maska dhe doreza, ndërsa drejtuesit e shkollave kanë marrë masa për dezifentkimin e duarve me alkool. Edhe këtu, të gjithë maturantëve do tu matet temperatura, ndërsa do të ruhet edhe distancimi social.

Gjirokastër

Shkollat janë bërë gati për të pritur maturantët me sinjalistikë, termometrin dhe dezinfektuesit në çdo bankë. 379 maturantë në Bashkitë Gjirokastër, Dropull, Libohovë, kanë nisur mësimin në orën 08:00 për t’u përgatitur dhe konsultuar për provimet e maturës.

Shkodër

Edhe në gjimnazet e Shkodrës maturantët i rikthehen shkollës në masa të rrepta higjineo-sanitare. Në hyrje u matet edhe temperatura, ndërsa brenda ambienteve janë përcaktuar përmes shigjetave se si duhet të ecin në mënyrë që të mos përballen me fytyrë me njëri-tjetrin.

Kukës

Më shumë se 650 maturantë në 10 shkollat e mesme të Bashkisë Kukës, janë gati për të rinisur mësimin. Dikush me stres për provimet që po afrojnë dhe dikush me emocion si të ishte dita e parë e shkollës, maturantët për 3 javë do të përgatiten dhe konsultohen për provimet e maturës. Nga institucionet arsimore por edhe ato të pushtetit vendor, janë marrë masat e nevojshme sipas protokollit sanitar të miratuar për këtë qëllim duke respektuar distancimin social, qoftë në ambientet e jashtme por edhe të brendshme në shkolla.

Lushnje

18 shkollat në këtë qytet kanë pritur maturantët. Në hyrje të çdo shkolle janë vendosur vende për dezifenktimin e këpucëve dhe dy infermiere që kontrollojnë shëndetin e maturanteve. Për maturantët që nuk kishin maska dhe doreza, u jepeshin falas nga shkolla. Nëpër klasa respektohet protokolli dhe largësitë e përcaktuara nga 7 deri në 10 maturantë në çdo klasë. Nxënësit thonë se janë marrë masat e duhura, ndërsa disa prej tyre mendojnë se tani virusi ka ikur.

Fier

Në këtë qytet janë 1412 maturantë. Mësohet se në shkollat e mëdha, ku do të ketë mbi 150 nxënës, hyrja do të bëhet me fasha të caktuara, për të ruajtur distancimin social. Nga ana tjetër, çdo institucion arsimor do të ketë shërbim mjekësor, ku përpara hyrjes në shkollë nxënësve do tu matet temperatura. Për më tepër, ata do t’i nënshtrohen dezinfektimit, ndërsa përdorimi i maskave dhe dorezave do të jetë i detyrueshëm. Nëpër shkolla janë vendosur sinjalistika orientuese, gjithashtu në çdo bankë do të qëndrojë vetëm një nxënës.

SHKARKO APP