31-vjeçari shqiptar u soll pa zemër, Gjonaj bisedë me homologun spanjoll: Shikoni me prioritet letërporosinë e prokurorisë

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka zhvilluar një takim online me homologun nga Spanja, Juan Carlos Campo Moreno, me të cilin diskutoi mbi reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe për marrëdhëniet juridiksionale mes vendeve tona. Forcimi i marrëdhënieve ndërgjyqësore me Spanjën, rëndësia e bashkëpunimit për të luftuar krimin transnacional dhe partneriteti historik me Spanjën do të vijojë me hapa konkrete në fushën e drejtësisë.

Gjonaj i kërkoi homologut spanjoll ndjekjen me prioritet të ekzekutimit të kërkesës shqiptare për ndihmë juridike të dërguar nga Ministria e Drejtësisë në lidhje me procedimin penal të filluar nga Prokuroria e Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të shitblerjes së paligjshme të organeve, në kuadrin e hetimeve lidhur me Saimir Sulën, i cili ka ndërruar jetë në ”Hospital del Mar” të Barcelonës në Spanjë dhe verifikimeve që po kryhen lidhur me rezultatet e autopsisë së bërë. Moreno garantoi për mbështetjen e tij në këtë kërkesë që lidhet me një ngjarje me ndjeshmëri të madhe humane dhe publike.

Në dosje thuhet se 31-vjeçari Saimir Sula jetonte në Spanjë me motrën e tij. Në maj 2020 Sula shkoi për test Covid-19 dhe rezultoi negativ, ndërkaq i bënë ekzaminime të tjera. Në dosje sqarohet se Saimiri vuante nga probleme mendore pasi kishte halucinacione dhe një mjeke psikiatre i shkonte një ditë po dhe një ditë jo në shtëpi. Spitali i Barcelonës e ka regjistruar vdekjen e Sulës si natyrale dhe mjekët shqiptarë e kanë konstatuar mungesën e zemrës këtu. Ka qenë insistimi i së motrës që ka zbuluar mungesën e zemrës pasi trupi i vëllait të saj ka mbërritur me avion nga Spanja.

Nga ana tjetër, Gjonaj i shprehu homologut spanjoll konsideratën për mbështetjen që Spanja i ka dhënë Shqipërisë veçanërisht në procesin e çeljes së negociatave me BE-në. Gjonaj informoi Ministrin e Drejtësisë të Spanjës se Shqipëria aktualisht është e angazhuar dhe ka ndërmarrë një Reformë të thellë në sistemin e drejtësisë siç është Reforma në Drejtësi, rezultatet e të cilës janë të shtrira në kohë, por ka patur një ecuri të mirë të rezultateve të saj pasi janë ngritur institucionet e reja si SPAK dhe BKH. Ministri i Drejtësisë i Spanjës e siguroi homologen shqiptare mbi mbështetjen që Spanja është e gatshme të japë për të konkretizuar dhe bashkërenduar bashkëpunimin sipas fushave me interes të përbashkët.

SHKARKO APP