33 të pasurit e parë që do të kalojnë në ”skaner” për pasuritë
33 personat nga 200 në total me të ardhurat më të larta do të “skanohen” nga Administrata Tatimore. “Synimi deri në vitin 2027 është krijimi i sistemeve, regjistrave dhe kapaciteteve për verifikimin e të ardhurave dhe pasurisë së pashpjeguar, duke synuar që ky proces të shtrihet në rreth 500 tatimpagues të regjistruar dhe rreth 200 individë”, sqaron Ministria e Financave.
Për të vërtetuar se paratë e harxhuara nuk janë përftuar nga aktivitete të paligjshme, do krahasohet vlera e shpenzuar me të ardhurat që individi ka pasur atë vit. “33 apo 200 persona janë një kampion shumë i vogël krahasuar me popullsinë. Duhet shtrirë më tej për të skanuar gjithë të pasurit që i kanë paratë nga burime të pajustifikuara”, tha për A2 CNN eksperti i ekonomisë, Edision Zaçaj.
Brenda këtij viti parashikohet të ngrihet sistemi i hetimit pasuror që do të batohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bashkë me atë të Transportit Rrugor. Në rastet kur do të gjendet se vlera e automjetit nuk justifikohet, zotëruesi do të çohet për hetim.