35 ditë para daljes në pension/ Mjeku Tritan Kalo: Pandemia, sfida më e madhe e jetës sime
Mjeku Tritan Kalo, një nga heronjtë e luftës me Covid-19, ka njoftuar se është në prag të pensionit zyrtar, por nuk përjashton mundësinë se do të vazhdojë të ushtrojë profesionin e tij. Zëri i Kalos u dëgjua më shumë se kurrë gjatë pandemisë së Covid 19 në Shqipëri, kur me deklaratat profesionale, qetësoi dhe informoi qytetarët, në një kohë të vështirë për të gjithë. Mjeku rrëfen se e ka nisur punën si mjek, që në vitin 1981, në “shtigjet e vështira të Mjeksisë”, siç thotë ai.
“Këto 18 muaj të Pandemisë së Sars-Cov2/Covid 19, kanë qenë dhe mbeten SFIDA më e madhe e jetës sime si në aspektin profesional, po ashtu edhe në aspektin social. Shpresoj që të mos kem zhgënjyer askënd, që ka patur nevojë për dijenitë dhe përkujdesin e Dr. Tritan Kalos, sidomos tanimë kur vetëm 35 ditë më ndajnë nga 18 Korriku 2021, pragmosha e nisjes zyrtare të rrugëtimit të pensionit”, shkruan Kalo.
Në shkrimin e tij, nuk kursen as ironinë për sistemin demokratik, që sipas tij po i largohet mirënjohjes dhe po shkon drejt materiales: “MIRËNJOHJA ishte, është dhe kurdoherë do të mbetet një shprehje e FISNIKËRISË, diçka që sapo vjen e zbehet në Shoqërinë tonë Demon-kratike pak të virtutëshme dhe tejet të materializuar”.