35% e bizneseve në evazion fiskal, Anti-informaliteti: Në 4 muaj u kapën 2651 subjekte shkelëse

Gjatë fushatës 4 mujore të antiinformalitetit, kontrollet tatimore kanë kapur në shkelje të ligjit plot 2651 biznese në të gjithë vendin. Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për periudhën 4 korrik, kur dhe nisi plani operacional deri më 15 tetor 2019, u kryen 7540 kontrolle, ndërsa u konstatuan në shkelje të legjislacionit tatimor 2651 biznese, çka përbëjnë 35.1 për qind të numrit total, për të cilat janë marra masat përkatëse që nga paralajmërimi, gjoba e deri tek bllokimi i aktivitetit.

Abuzimi më i lartë është konstatuar në sektorin e shërbimeve, pasi ishte sektori më me qarkullim gjatë periudhës së kontrolleve, ndërsa kishte edhe fokusin kryesor. Numri më i madh i shkeljeve të konstatuara, lidhet me  subjekte të paregjistruara në organet tatimore; tatimpagues të penalizuar për shkeljen e mos lëshimit të kuponit tatimor; tatimpagues te penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar, tatimpagues që nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale si dhe subjekte që dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.

Sipas drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve, aksioni do të vijojë intensivisht deri në fund të vitit, i shtrirë në të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërkohë që do të ketë edhe ndryshime në ligjin për procedurat tatimore, ku subjekteve që do t’u bllokohet aktiviteti për mos lëshim kuponi për herë të dytë, do të mund ta rihapin atë vetëm pas pagesës së gjobës. / SCAN

SHKARKO APP