375 kamera inteligjente në 20 shkollat e qarkut të Tiranës
Projekti “Smart City”, që përfshin përdorimin e kamerave me inteligjencë artificiale për survejim, do të nisë së shpejti në 20 shkolla publike të qarkut të Tiranës.
Në total, në 9 shkolla të mesme dhe 11 shkolla 9-vjeçare do të vendosen 375 kamera “Smart City”, ndërsa monitorimi dhe menaxhimi i të dhënave do të realizohet nga Policia e Shtetit. Nga shkollat e mesme, gjimnazi “Qemal Stafa” do të ketë numrin më të madh të kamerave, rreth 31, ndjekur nga shkolla profesionale “Karl Gega” me 30 kamera, dhe “Petro Nini Luarasi” me 19 kamera.
Tek shkollat 9-vjeçare, më shumë kamera do të ketë “Avni Rustemi” me 24 njësi, ndërsa “Fan Noli” do të pajiset me 11 kamera. Vendimi për vendosjen e kamerave pason ngjarjen tragjike në tetor 2024, kur në shkollën “Fan Noli” u vra 14-vjeçari Martin Cani nga një bashkëmoshatar. Pas kësaj, qeveria ndërmori masa për të rritur sigurinë, duke përfshirë edhe bllokimin për një vit të rrjetit social TikTok.
Qëllimi i projektit është të përmirësojë sigurinë në shkolla dhe të parandalojë incidente të rënda. Më tej, sistemi “Smart City” pritet të zgjerohet për të mbuluar qytete, rrugë dhe hapësira publike, duke mundësuar monitorim dhe menaxhim të integruar të territorit.
KOHA JONË SONDAZH

